Zgjedhja e guvernatorit të ri të BQK-së, Gjykata kërkon nga Fehmi Mehmeti plotësimin e padisë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga aktualisht Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, që të plotësojë padinë e tij, në çështjen gjyqësore lidhur me garën për përzgjedhjen e Guvernatorit të ri të BQK-së, ku Mehmeti po synon edhe një mandat. Mehmeti po pretendon se u diskriminua në garën për guvernatorin e ri të BQK-së.  

Më 10 mars 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Mehmeti plotësimin e padisë. Në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata ka kërkuar nga Mehmeti që në padi të përcaktojë qartë objektin e kontestit, kërkesën në pikëpamje të çështjes kryesore dhe kërkesave eventuale aksesore, bazën juridike, përkatësisht petitumin e padisë/propozimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktvendim thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Administrative, me vendimin e 15 shkurtit 2023 është shpallur jokompetente në pikëpamje lëndore. Ndërkaq, kundër këtij vendimi paditësi ka parashtruar ankesë, të cilën Gjykata e Apelit më 2 mars 2023 e ka refuzuar si të pabazuar duke e vërtetuar vendimin e shkallës së parë.

Sipas aktvendimit, lënda me të gjitha shkresat është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Divizionin Civil.

Fehmi Mehmeti ushtron funksionin e guvernatorit të BQK-së nga data 29 mars 2018, ndërsa ky mandat skadon më 29 mars 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mehmeti i cili ka konkurruar edhe për një mandat për këtë pozitë në konkursin e shpallur nga BQK-ja, po pretendon se është diskriminuar ngase nuk është futur në listën e kandidatëve të përzgjedhur.

Në padi thuhet se Mehmeti ka qenë i renditur në vendin e pestë, me pikë të barabarta me kandidaten në vend të katërt, Shkëndije Himaj, ku secili prej tyre kanë pasur nga 26 pikë. Por, sipas padisë, përderisa Himaj ishte përfshirë në listën përfundimtare, Mehmeti nuk ishte përfshirë në këtë listë. Sipas pretendimeve të Mehmetit në padi, ky fakt paraqet diskriminim të hapur.

Përmes propozimit për caktimin e masës së sigurisë, Mehmeti ka kërkuar nga Gjykata që të ndalojë ndërmarrjen e çfarëdo veprimi nga BQK, Qeveria, Kuvendi apo Presidenti që ka të bëjë me përzgjedhjen e guvernatorit të ri të BQK. Sipas Mehmetit, vetë afatet ligjore që kanë të bëjnë me procedurën e përzgjedhjes së drejtorit të BQK-së flasin për urgjencën dhe rrezikun për realizimin e kërkesëpadisë nga ai.

Ndryshe, në një procedurë tjetër gjyqësore në lidhje me procesin e përzgjedhjes së guvernatorit të ri të BQK, me vendimin e 28 shkurtit 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka refuzuar  propozimin e  guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Fehmi Mehmetit për caktimin e masës së sigurisë. /BetimipërDrejtësi/