Zgjedhjet lokale, fillon takimi i Presidentes Osmanit me përfaqësuesit e partive politike

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me liderët e partive politike janë mbledhur në takim sot për të diskutuar lidhur me zgjedhjet lokale.

Në takim po marrin pjesë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, Donika Gërvalla përfaqësuese e Listës “Guxo”,  Mimoza-Kusari-Lila nga Alternativa për Kosovën dhe Muharrem Nitaj nga AAK-ja.

Ndërsa nga partitë e komuniteteve pakicë të pranishëm janë edhe Emilia Rexhepi dhe Fikrim Damka, njofton Klankosova.tv.

Në ftesën që Osmani i ka dërguar partive politike gjatë të shtunës thuhet se në takim do të diskutohet për opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Team së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.

Kjo Task-Team e IKSHPK-së i ka rekomanduar presidentes së vendit që procesi i zgjedhjeve të shtyhet me argumentimin se i njëjti mund të ndikojë në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19.

Partitë opozitare janë shprehur kundër opsionit të shtyrjes së zgjedhjeve duke kërkuar vetëm reduktimin e fushatës zgjedhore.