Zgjerimi i rrugës Vushtrri-Stanovc, policia kërkon nga shoferët të shfrytëzojnë rrugët alternative

Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e jugut, përkatësisht Njësia e Trafikut Rajonal ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura me qëllim të mbarëvajtjes së qarkullimit rrugor .

“Në funksion të kësaj e mbi bazën e vlerësimit analitik e faktik të gjendjes në trafikun rrugor në fokus rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë zona e Vushtrrisë, ku për shkak të punimeve në zgjerimin e rrugës segmenti Vushtrri- Stanovc ditëve të fundit në këtë segment rrugorë rrjedha e trafikut për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve po zhvillohet me e ngadalësuar si rrjedhojë po krijohen kolona të gjata.

Andaj Policia apelon tek të gjithë veçanërisht banorët e zonave Mitrovicë e Vushtrri, për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, për të mundësuar një qarkullim në suaza të normales t’i shfrytëzojnë rrugët alternative”, thuhet në njoftimin për media.

Si rrugë alternative mund të shfrytëzohet rruga regjionale segmenti Mitrovicë-Frashër-Vushtrri Prilluzhë me kyçje në rrugën nacionale Stanovc dhe anasjelltas.

Policia ka njoftuar se deri në sanimin e kësaj gjendje dhe rënies së fluksit të veturave udhëzimet policore për kufizimet, riorientimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara do të jenë të domosdoshme për drejtimin e trafikut, në mënyrë që të evitohen kolonat në rrugë.