14 të lënduar në një aksident trafiku në Novobërdë

14 persona janë lënduar në një aksident trafiku mes një autobusi dhe një mjeti transportues, që ka ndodhur të martën në Prekoc të Novobërdës.

“Një autobus dhe një automjet transportues janë përfshirë në aksident trafiku në mes veti. Si pasojë e aksidentit 14 persona kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në raportin e Policisë. 

Policia ka dhënë detaje se si dyshohet që ka ndodhur aksidenti.

“Aksidenti dyshohet se ka ndodhur kur drejtuesi i autobusit për arsye të panjohura ka humbur kontrollin mbi drejtimin e autobusit duke kaluar në shiritin e kundërt të lëvizjes dhe është përplasur frontalisht me automjetin që po lëvizte në anën e kundërt”, thuhet në raportin e Policisë.

Të lënduarit thuhet se kanë pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Në konsultim me prokurorin rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt.