Kastrati e Paqarada arsyetuan besimin e Challandesit

Lirim Kastrati pati tri momente të mira të mërkurën mbrëma gjatë ndeshjes së tij të parë si startues me fanellën e Përfaqësueses së Kosovës në duelin kundër Greqisë në Athinë. Në tri rastet pati mundësi të gjuante vetë drejt portës së Greqisë. Këtë e pranon edhe vetë ai. Por Kastrati zgjodhi të shërbejë për bashkëlojtarët e tij për të dëshmuar se sukseset synon t’i ketë të përbashkëta.

“Për mua ishte ndeshja e parë që luajta nga minuta e parë për Kosovën A. Ishte moment i mirë për mua. Jam munduar të jap maksimumin dhe ta ndihmoj ekipin. Kam pasur disa raste, të cilat ndoshta do të mund t’i finalizoja vetë, por në ato momente kam menduar të pasoj te Kololli dhe bashkëlojtarët e tjerë. Unë dua ta ndihmoj ekipin dhe nuk dua të tregohem egoist. Ndoshta edhe papërvoja me ekipin e parë të Kosovës e ka bërë të veten”, thotë të enjten për KOHËN sulmuesi i krahut, i skuadrës së Dinamo Zagrebit.

Kastrati luajti 90 minuta në barazimin që Kosova e arriti të mërkurën mbrëma në Athinë ndaj ish-kampiones së Evropës, Greqisë (0:0). Rastin Kastrati e pati për shkak të mungesave të shumta që ishin te Kosova. Gjatë tërë ndeshjes luajti edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Leart Paqarada. Ai zëvendësoi Benjamin Kolollin që luajti në ndeshjet e fundit si sulmues. Të dy, si Kastrati ashtu edhe Paqarda, e arsyetuan besimin e Challandesit. Paraqitja e 21-vjeçarit u vlerësua pozitive. Është edhe një sinjal pozitiv që ai mund të jetë një armë shtesë e përzgjedhësit Bernard Challandes për ndeshjet e ardhshme.

“Kjo ndeshje më ka dhënë forcë dhe besim të madh më vete për ndeshjet e ardhshme”, u shpreh Kastrati.

Edhe Paqarada thotë se është i kënaqur me paraqitjet e tij, derisa lëvdata ka marrë edhe nga të tjerët.

“Ndeshja e parë e imja si titullar në këtë grumbullim të këtij muaji ka qenë goxha e mirë. Kur luan mirë edhe merr lëvdata, por kur luan keq kritikohesh. Nuk e bëj të madhe, sepse e rëndësishme për mua është që ta ndihmoj kombëtaren drejt suksesit. Edhe për lojtarët është më e lehtë nëse trajneri të beson të luash nga fillimi. Pastaj, i mbetet lojtarit ta tregojë veten dhe ta dëshmojë që dëshiron të luajë mirë”, tha Paqarada.

Ngjashëm mendon edhe Kastrati, i cili insiston se ka fituar vetëbesim pas paraqitjes së parë të tij që nga minuta e parë.

“Ka qenë një ndeshje e mirë besoj. E kemi dhënë maksimumin. Kemi pasur një kundërshtar shumë të fortë, por të gjithë së bashku ia kemi dalë. Ndoshta me pak fat, do të mund të shënonim fitore. Kjo paraqitje e mirë ka ardhur pas rezultateve jo të mira. Kemi pasur shumë mungesa, por besoj që të gjithë ata që kanë luajtur e kanë dhënë më të mirën nga vetja. Mos të harrojmë, Kosova ka shumë lojtarë cilësorë dhe atë që e fton dhe e vendos trajneri në ekip, e jep më të mirën nga vetja”, ka theksuar ai

Kastrati ka udhëtuar të enjten drejt Kroacisë, për t’u bashkuar me Dinamon.

Mirëpo, ai pret që sërish në muajin nëntor të ftohet nga përzgjedhësi Bernard Challandes për dy ndeshjet e fundit të Kosovës në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, kundër Sllovenisë si mysafire më 15 nëntor dhe Moldavisë në Prishtinë tri ditë më vonë.