Pas Messit e Ronaldos, Wenger thotë se edhe Mbappen ka mundur ta transferonte falas në Arsenal

Arsene Wenger thotë se Arsenali ka mundur ta transferonte falas Kylian Mbappen, derisa e pranoi se kishte bërë përpjekje për t’i blerë Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon.

Për Mbappen, i cili këtë javë shënoi het-trik në fitoren e thellë të PSG-së 4:1 kundër Barcelonës në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve, është duke u përfolur se do të largohet nga Parisi për një shumë të majme parash, transmeton Gazeta Express.

Klubet ku ai mund të transferohet thuhet të jenë Liverpooli apo Real Madridi.

Por gjithçka ka mundur të ishte ndryshe për të, me ish-trajnerin e Arsenalit Wenger që ka zbuluar sesa afër ishte ta transferonte Mbappen në Premierligë në fillim të karrierës së tij.

“Mund të flasim për Mbappen. Isha në shtëpinë e tij kur ai ishte i pavendosur për të ardhmen; se a ta vazhdonte kontratën me Monacon apo jo”, tha Wenger për beIN Sports.

“Ai ka mundur të vinte në Arsenal falas. Them se Arsenali është plot histori të tilla”, shtoi ai.

Francezi konfirmoi edhe përpjekjet e Arsenalit për t’i blerë Messin e Ronaldon në fillim të karrierave të tyre.

“Ronaldo ishte shumë afër të na bashkohej neve. Fatkeqësisht për ne, Carlos Queiroz iu bashkua Manchester Unitedit (si ndihmëstrajner) dhe brenda javës e bindi Alex Fergusonin ta blinte Ronaldon.”

“Ne donim ta bënim një treshe, Messi, Cesc Fabregas dhe Gerard Pique. Ata janë gjeneratë e 1987 që luajtën bashkë. Pique vendosi të shkojë në Man United në fund, Fabregas na u bashkua neve dhe Barcelona ishte e mençur që e mbajti Messin”.