Xhavit Haliti

4 këshilla për ushqim për ta mbrojtur zemrën dhe shëndetin afatgjatë

Ajo që vendosin njerëzit çdo ditë në pjatë ka ndikim shumë më të madh në shëndetin e zemrës sesa mendohet. 

Hindustan Times ka shkruar se ushqimi mund të rrisë në heshtje rrezikun për sëmundje ose, përkundrazi, të mbrojë zemrën, metabolizmin dhe vitalitetin me kalimin e viteve.

Doktori Jeremy London, kirurg kardio-torakal me mbi 25 vjet përvojë, ka ndarë katër këshilla praktike për ushqim që, sipas tij, ndihmojnë në mbrojtjen e zemrës dhe jetëgjatësinë.

Balanca e kalorive është thelbësore

Sipas London, shumë njerëz hanë më tepër sesa u nevojitet, gjë që çon gradualisht në shtim në peshë. Mbajtja e një peshe të shëndetshme është shumë e rëndësishme për zemrën.

“Teprimi në ushqim është një nga shkaktarët kryesorë të obezitetit dhe rrit rrezikun për sëmundje të zemrës dhe sëmundje kronike. Pesha e shëndetshme trupore e mbron zemrën në afat të gjatë”, ka thënë ai.

Jepuni përparësi fibrave

Fibrat luajnë rol të madh në uljen e rrezikut për sëmundje të zemrës dhe në jetëgjatësi. Ato gjenden kryesisht te pemët, perimet, bishtajoret dhe ushqimet e papërpunuara.

“Shumica e njerëzve nuk marrin mjaft fibra. Konsumi më i lartë i fibrave lidhet fort me rrezik më të ulët për sëmundje të zemrës dhe jetë më të gjatë”, ka theksuar London.

Proteina për muskuj dhe metabolizëm

Proteina është e domosdoshme për ndërtimin dhe ruajtjen e muskujve, që është shumë e rëndësishme për shëndetin metabolik dhe pavarësinë në moshë të shtyrë.

“Të dhënat janë të qarta. Proteina ndihmon në ruajtjen e muskujve, gjë që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin, forcën dhe jetëgjatësinë”, ka shpjeguar doktori.

Ushqimi duhet personalizuar

London këshillon që analizat e gjakut dhe matja e treguesve shëndetësorë të jenë pjesë e kujdesit për ushqimin, pasi ndihmojnë në identifikimin e mungesave dhe përshtatjen e dietës.

“Nëse po mendoni seriozisht për atë që hani dhe doni të dini nëse po ecni në drejtimin e duhur, hapi tjetër janë analizat. Nëse nuk e matni, nuk mund ta përmirësoni”, ka thënë ai.