40 mijë llogari bankare për serbët në Kosovë – Hekuran Murati jep sqarime për Rregulloren e BQK-së

Ministri i Financave, Hekuran Murati në konferencën për media ka folur për çështjen e rregullores së re të BQK-së.

Ai ka thënë se janë mbi 40 mijë llogari bankare që janë në dispozicion të qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, përmes të cilave mund të pranojnë pagesa edhe në transfere ndërkombëtare.

“Çështja e dytë që është parashtruar ka qenë përdorimi i valutës së huaj për pagesa në Republikën e Kosovës, që deri më tani në disa raste ka mundur të jetë edhe praktikë, por konsideroj që në një shtet ku valuta zyrtare është Euro është më e përshtatshme që Euro të përdoret për pagesë”, ka thënë Murati.

Ministri ka shtuar se ka qenë më tepër obligim dhe detyrim i shtetit serb që e vetmja mënyrë që dikush ta pranoj pensionin, pagën apo ndihmën sociale të jetë në valutë të huaj pra dinarit serb.

“Me këtë mënyrë përmes transfereve ndërkombëtare besoj që do të ketë lehtësim përmes një dakordimi mes Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës Qendrore të Serbisë, dhe kjo punë do të mund të zgjidhet shumë lehtë që qytetarët të vazhdojnë jetën normale. Pra, mundësitë ekzistojnë është çështje e vullnetit ë shtetit serb nëse duan të problematizojnë dhe të krijojnë telashe qëllimshëm, apo e kanë njëmend të ndihmojnë qytetarët”, tha ai.

Sa i përket zbatimit të kësaj rregulloreje, Murati u shpreh se  nuk ka qenë sekret që një pjesë e madhe e bizneseve që kanë operuar në veri, kanë operuar në mënyrë informale duke mos qenë të regjistruar dhe duke mos paguar taksa.

“Tashmë në Leposaviq ekziston edhe zyra e ARBK-së që do të mundësoj regjistrimin e bizneseve atje”, u shpreh Murati.

Murati ka thënë se do të ketë fushatë që bizneset të fiskalizohen. “Jemi të përkushtuar që të ofrojmë edhe masa mbështetëse edhe për të gjitha bizneset e tjera”, ka thënë ai.