45 kg kokainë në Durrës, mishi nga Brazili ishte porositur nga kompania “Apetit Group”

Në pranga për sasinë e kokainës të sekuestruar në portin e Durrësit mbrëmjen e së mërkurës janë vënë administratori i kompanisë Arben Ferizi si dhe një agjent doganor në Portin e Durrësit, Egert Vargu.

Mbrëmjen e së mërkurës, në kuadër të operacionit anti-drogë të koduar “Tranziti”, u sekuestruan 45.5 kg kokainë në një kontejner që vinte nga Brazili.

Gazeta Stop ka mesuar se mishi i porositit është i kompanisë Apetit Group nga Vushtrria, por selinë e saj e ka në Milloshevë të Komunë së Obiliqit.

Sasia e kokainës vinte tranzit nga Brazili për në Maqedoninë e Veriut, dhe siç njoftohet u kap falë informacioneve që dispononte Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, ndërsa dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Kontejneri ku ndodhej lënda narkotike ishte i mbushur me mish pule. Si rezultat i kontrollit të kryer, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë.

Policia njofton se vijon puna hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar që fshihen pas ngarkesës me lëndë narkotike. Kjo është sasia e dytë e drogës që sekuestrohet nga Policia e Durrësit në port në harkun kohor të një muaji pasi më 17 maj një tjetër ngarkesë prej 59 kg kokainë u kap në një kontejner me qymyr që vinte nga Ekuadori. /Abcnews.al/