50 milionë euro përkrahja për fermerët këtë vit në kategorin e subvencioneve

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se janë ndarë 50 milionë euro subvencione për fermerët për këtë vit.

Ai ka njoftuar se përmes këtij programi fermerët do ta kenë mundësinë e zgjerimit të aktiviteteve bujqësore dhe blegtorale.

“50 milionë euro përkrahja për fermerët këtë vit, vetëm në kategorin e subvencioneve. Sapo nënshkruva Programin e Pagesave Direkte / Subvencioneve për vitin 2021 i cili do të jetë një përkrahje për të gjithë fermerët të cilët përmes këtij programi do ta kenë mundësinë e ushtrimit dhe zgjërimit të aktiviteteve të tyre bujqësore dhe blegtorale, në dobi të komunitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit”, ka shkruar ministri Faton Peci.

Peci gjithashtu ka shkruar se duhet të kryhen procedurat ligjore të udhëzimit administrativ deri tek hapja e aplikimit.

“Me shpalljen e këtij programi vlera e përkrahjes vetëm në kategorin e subvencioneve për këtë vit arrin 50 milion euro. Ka ngelur tashmë vetëm procedurat ligjore dhe procedurale të udhëzimit administrativ, deri tek hapja e aplikimit”, ka shkruar Peci.