Vendimi i ZRRE-së është i papërgjegjshëm dhe diskriminues – Kërkojmë anulim ose pasojnë protesta të ashpra demokratike.
Aleanca Kosovare e Bizneseve – AKB sot mbajti takimin e rregullt të Bordit udhëheqës, ku u trajtua me shqetësim të thellë vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për të detyruar rreth 1300 biznese që nga 1 qershori 2025 të dalin nga furnizuesi universal, si dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike për 16.10%.
Ky vendim është i papranueshëm, i njëanshëm dhe godet rëndë sektorin privat, sidomos prodhuesit dhe ofruesit e shërbimeve vendore, të cilët tashmë po përballen me sfida të mëdha financiare dhe treg të pasigurt. Rreth 50 milionë euro shtesë në vit do të paguhen nga bizneset vetëm për energji, kosto që përfundimisht bie mbi qytetarët e Kosovës përmes rritjes së çmimeve dhe humbjes së vendeve të punës.
AKB kërkon:
- Shtyrjen urgjente për të paktën një vit të këtij vendimi;
- Përfshirjen e bizneseve në konsultimet vendimmarrëse;
- Rishikimin e menjëhershëm të tarifave dhe kushteve të tregut të hapur energjetik.
Nëse kërkesat tona injorohen, AKB do mund të ndërmarrë masa demokratike dhe të vendosura protestuese, duke përfshirë:
Protesta të organizuara me punëtorë dhe mjete pune në rrugët kryesore të Kosovës;
Mbyllje të përkohshme të bizneseve;
Shprehje të pakënaqësisë në sheshe dhe para institucioneve.
Nuk do të mund të lejojmë që politika e energjisë të bëhet barrë për ekonominë vendore dhe konsumatorin e zakonshëm ishte konstatim I Bordite udhëheqës të AKB-ës.
Ne jemi të vendosur të mbrojmë interesin e bizneseve dhe të qytetarëve të Kosovës.
Te pranishëm ishin kryetari i AKB-së Agim Shahini, Xhevdet Rexhepi Viva Fresh Store, Haziz Tafaj Agrokosova Holiding, Shkëlzen Jusaj Petrol Company, Arianit Koci Koci&Vokshi ,Isaku Tusha IMI COP, dhe Ahmet Kuqi Solid.