Vazhdimi i 38-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi që partitë politike janë pajtuar që ta vazhdojnë ata pas takimit që për të shtunën e ka thirrur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kryesuari i seancës, Avni Dehari, ka thënë se kjo pajtueshmëri është arritur në takim konsultativ të cilin ai e ka thirrur para fillimit të seancës të premten.
“Sot u mblodhëm me përfaqësuesit e subjekteve politike për konsulte. Te gjithë ishin të mendimit që seanca sot të ndërpritet. Pasi të mbahet nesër takimi të vazhdojmë me seancën”, ka deklaruar Dehari.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se “aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë”.