Zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës ka ngjallur debat të ashpër, sidomos për shkak të një “hulumtimi” të tij të vitit 2012 ku UÇK-në e paraqiste si të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Ironia është se 13 vite më vonë, Basha u zgjodh kryetar me votat e disa pjesëtarëve të UÇK-së.
Kuvendi i Republikës së Kosovës të martën zgjodhi për kryetar Dimal Bashën nga Lëvizja Vetëvendosje, për të cilin 73 deputetë votuan për, 30 kundër dhe 8 abstenuan.
Në këtë pozitë ka ardhur edhe me votat e disa pjesëtarëve të UÇK-së, raporton Paparaci.
Ata që e njohin veten si bartës të emblemës së UÇK-së, i dhanë legjitimitet një politikani që dikur akuzonte se UÇK-ja kishte marrë frymë nga nëntoka kriminale.
Nga PDK, pro zgjedhjes së tij kryetar ishin Jakup Nura, Rrahman Rama dhe Xhevahir Guci.
Dorën lartë për ta votuar e ngrenë edhe Daut Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Bekë Berisha nga AAK-ja, kurse nga LVV Shqipe Mehmeti-Selimi.
Të gjithë këta ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, të cilën Basha e lidhi ngushtë me kriminelë, trafikantë e banditë.

Çfarë kishte shkruar Basha për UÇK-në?
Dimal Basha emër i panjohur në skenën e politikës në vitin 2012 po punonte për ngritjen e tij akademike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për ngritjen e tij akademike, Basha kishte realizuar edhe një hulumtim në bashkëpunim me Jana Arsovskan, profesoreshë në John Jay College of Criminal Justice në New York. Dyshja në hulumtimin me titull: Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Transnacional, Islami Fondamental dhe Aleancat e Padrejta, kishte shkruar se si Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte milici e nëntokës, e lidhur me bandat kriminale e me ato të drogës.
Duke shkruar për shpërbërjen e Jugosllavisë, Basha e Arsovska kishin shkruar se si në fillim të viteve ’90, lidershipi shqiptar në Kosovë kishte themeluar institucionet paralele në shëndetësi dhe arsim.
“Procesi i radikalizimit të shqiptarëve të Kosovës u pasua pas vitit 1995. Ballkani gjithashtu përjetoi edhe themelimin e milicisë së nëntokës e njohur si Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pas themelimit të UÇK-së, shqiptarët e Kosovës filluan rebelimin e armatosur kundër autoriteteve serbe (1998-1999)”, kanë shkruar autorët në kapitullin e parë “Shpërbërja e Jugosllavisë”.
Në kapitullin “Ngritja e Krimit të Organizuar Transnacional” nën mestitullin “Diasporat dhe lidhjet kriminale-politike”, Basha, që 13 vjet më vonë në fundgushtin e vitit 2025, me votat e Partisë Demokratike të Kosovës, parti e dalë nga UÇK-ja, propagandonte se si UÇK-ja gjatë ngritjes së saj kishte bashkëpunuar me kriminelët shqiptarë si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.
“Rekrutimi i ish të burgosurve e banditëve patriotë”
“Rekrutimi i ish të burgosurve, banditëve patriotë dhe kriminelëve të karrierës në luftime kundër armiqve të shtetit ishte i zakonshëm gjatë luftërave jugosllave”, kishte shkruar Basha në këtë hulumtim.
“Me qëllim që UÇK-ja të armatosej, duhej sasi e madhe e parave. UÇK-ja nuk përkrahej zyrtarisht nga ndonjë shtet dhe duhej të varej nga burimet alternative. Sipas rasteve të hulumtuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarët e zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin nëpër Evropën Perëndimore dhe SHBA. Kjo përkrahje nuk ishte kufizuar vetëm në para, por trafikantët e drogës dërguan edhe burra të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe po blinin armë në emër të saj”, thuhej më tej në këtë hulumtim skandaloz të Bashës.
“Për lidhjet mes UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë të përcaktohet në mënyrë sasiore, ka raste gjyqësore në Gjermani, Itali, Belgjikë dhe Republikën Çeke që sugjerojnë për lidhje mes trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”, thuhej më tej në “hulumtimin” e tani kryeparlamentarit.
“Plumbat te dera si formë kërcënimi”
Basha në hulumtimin e tij, duke cituar intervista të policëve belgë, kishte shkruar se në Belgjikë, bosi i “Mafisë shqiptare” VH, kishte lënë plumba te dyert e shtëpive nga diaspora shqiptare për t’ua përkujtuar për taksat “vullnetare” që duhej të paguanin për të përkrahur qeverinë në hije dhe UÇK-në në fakt nuk ishin vullnetare. Mbijetesa e UÇK-së varej nga financimi që sigurohej nga banditët patriotë që operonin përtej kufijve”, kishte shkruar ai.
Basha në këtë hulumtim e implikon edhe Xhavit Halitin me krimin e organizuar.
“Xhavit Haliti ishte shef i logjistikës për UÇK-në. Ai drejtonte Fondin Vendlindja Thërret dhe kur fondet u shteruan, “u kthye me të madhe te krimi i organizuar”, thuhej në këtë hulumtim skandaloz të Bashës.
Basha në “hulumtimin” kundër UÇK-së që e shkroi si bashkëautor në vitin 2012, kishte cituar edhe Dick Martyn, ish-raportuesin e Këshillit të Evropës që shkroi raportin e vitit 2010 për krimet e pretenduara të luftës dhe trafikimin e organeve.
Në mestitullin “Diasporat” dhe lidhjet kriminale-politike, Basha kishte cituar famëkeqin Marty kur kishte shkruar për shpërbërjen e UÇK-së.
“Pas konfliktit, vetë UÇK-ja ishte shpërbërë zyrtarisht, sidoqoftë, shumë ish-komandantë të saj morën kapela të tjera dhe hyn në politikë. Me politikën erdhi krimi”, shkruajnë Basha dhe bashkëautorja Jana Arsovska në hulumtimin me titull “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Transnacional, Islami Fondamental dhe Aleancat e Padrejta”.
Basha në këtë “hulumtim” kishte pretenduar se UÇK-ja kishte rekrutuar ish të burgosur, banditë patriotë e kriminelë. Basha si bashkëautor, kishte shkruar se UÇK-ja ishte financuar nga trafikuesit e drogës që në emër të saj kishin blerë armë.
Ndërkaq, Marty u emërua nga Këshilli i Evropës për të hetuar pretendimet që fillimisht dolën në librin e ish-prokurores së Hagës, Carla Del Ponte, ku përmendej trafikim organesh nga grupet e lidhura me UÇK-në.
Në raportin e tij, ai kishte përmendur “grupin e Drenicës”, të lidhur me Hashim Thaçin dhe figura të tjera të UÇK-së, duke i akuzuar për rrëmbime, vrasje dhe trafikim organesh të të burgosurve serbë dhe shqiptarë të Kosovës. /Paparaci/