E konfirmon Kushtetuesja, Kuvendi u konstituua pas afatit 30 ditor, Presidenti të zgjidhet deri më 6 tetor

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas afatit 30 ditor. Gjykata ka konstatuar gjithashtu se Presidenti duhet të zgjedhjet më së largu deri më 6 tetor.

“Kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [Zgjedhja e Presidentit], 95 [Zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka konstatuar Kushtetuesja.

Megjithatë, Kushtetueja ka konstatuar se vendimi i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4, nuk ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjithashtu, është refuzuar edhe kërkesa për masë të përkohshme.

Në anën tjetër, ka konstatuar që “deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ky është vendimi i plotë:

I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;

II. TË KONSTATOJË që Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

III. TË KONSTATOJË që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [Zgjedhja e Presidentit], 95 [Zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

IV. TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

V. TË KONSTATOJË që Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

VI. TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;

IX. TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.