Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, pak ditë pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. PDK-ja thotë se nisma nuk synon mbylljen e Dhomave të Specializuara, por ndryshimin e juridiksionit dhe mënyrës së funksionimit të tyre.
Sipas projektligjit, juridiksioni i Dhomave të Specializuara do të kufizohej te veprat penale të përmendura në raportin e vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Po ashtu, PDK-ja propozon ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja, nga janari i vitit 1998–dhjetor 2000, në periudhën nga 1 korriku 1999 deri në dhjetor 2000.
Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me dënimet. PDK-ja kërkon që dënimi maksimal që mund të shqiptohet nga Dhomat e Specializuara të jetë 15 vjet burgim. Projektligji parasheh gjithashtu që dënimet të ekzekutohen në Kosovë dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Për rastet që tashmë janë duke u gjykuar në Hagë, nisma parasheh që procedurat të vazhdojnë sipas rregullave aktuale deri në një vendim të formës së prerë. Në rastet që do të mbeteshin jashtë juridiksionit të Dhomave të Specializuara, projektligji parasheh mundësinë e transferimit të tyre në Kosovë.
Projektligji është dorëzuar në Kuvend më 22 shtator, por para se të shqyrtohet në seancë plenare duhet të kalojë nëpër procedurat parlamentare. Ai duhet t’i dërgohet Qeverisë për mendim dhe të shqyrtohet në parim nga komisioni përkatës parlamentar. Aktualisht, Kuvendi ende nuk i ka formuar komisionet parlamentare.
Për miratimin e një ligji të zakonshëm nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend. Megjithatë, çështja mund të bëhet më komplekse nëse ndryshimet prekin edhe bazën kushtetuese ose marrëveshjet ndërkombëtare mbi të cilat është themeluar Dhomat e Specializuara.
Ekspertët juridikë të cituar nga Radio Evropa e Lirë kanë paralajmëruar se ndryshimet ligjore nuk duhet të cenojnë detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Sipas tyre, ndërhyrjet që prekin ekzistencën ose mandatin e Dhomave të Specializuara mund të kërkojnë trajtim edhe në nivel kushtetues.
Ndërkohë, ndryshimi i ligjit nuk do të nënkuptonte automatikisht anulimin e aktgjykimeve ekzistuese. Ish-avokati i Popullit Hilmi Jashari ka thënë për REL-in se për lirimin e personave të dënuar do të nevojitej një vendim i organit kompetent gjyqësor, përfshirë mundësinë e një vendimi në procedurën e apelit ose një bazë tjetër të përcaktuar juridikisht.
Aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është i shkallës së parë dhe ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar apel.
Nisma e PDK-së pritet të përballet me diskutime politike dhe juridike, ndërsa LVV ka bërë të ditur se do ta shqyrtojë projektligjin nga aspekti juridik dhe në raport me efektet e mundshme që mund të ketë në proceset gjyqësore në Hagë. Aleanca e ka mbështetur nismën, ndërsa LDK ende nuk ka dalë me qëndrim zyrtar.