Sunny Hill Festival

Ymeri: VV përdor standarde të dyfishta ndaj Kushtetueses – kritikojnë kur vendimet nuk i përshtaten, lavdërojnë kur i shërbejnë

Analisti politik, Visar Ymeri, ka deklaruar se sulmet e Vetëvendosjes ndaj Gjykatës Kushtetuese janë të pavërteta, të dëmshme dhe të rrezikshme, pasi e minojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e Kosovës.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Ymeri ka theksuar se Vetëvendosja përdor një standard të dyfishtë ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e kritikuar kur vendimet nuk i përshtaten dhe duke e lavdëruar kur i shërbejnë.

“Kjo është bërë si një farë norme që kemi parë dhe po e vërejmë secili që LVV-ja qëndrimin karshi Gjykatave në përgjithësi, përfshirë asaj kushtetuese, ka kogja shumë të ndikuara nga ajo nëse i pëlqen vendimi ose jo. Kur nuk i pëlqen vendimi thotë se kjo Gjykatë është hije e opozitës, e po i shërben Serbisë e 100 mijë akuza të tjera. Ndërkohë se kur i pëlqen vendimi e lavdëron. Për shembull ishte përbërja e njëjët e Gjykatës Kushtetuese që ia kishte shkurtuar mandatin qeverisë Hoti dhe ia kishte krijuar një farë mënyre mundësinë Kurtit që ta formojë qeverinë i vetëm herën e kaluar pa bashkëpunim me partitë e tjera. Në këtë drejtim mendoj se këto janë të pavërteta, si sulme janë shumë të dëmshme dhe të rrezikshme sepse po e ndikon kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese në përgjithësi”, tha ai.

Ai ka paralajmëruar se një qasje e tillë nga një parti që synon udhëheqjen e institucioneve mund të krijojë kaos dhe rrezik serioz për demokracinë.

“Mendoj që partitë politike, veçanërisht ato që kanë më shumë vota ose si VV-ja ose ato që pretendojnë me i themelu institucionet duhet me qenë shumë të kujdesshme të mirëmbajtjes së kredibilitetit të institucioneve të Kosovës sepse nëse as një institucion nuk i besohet në Kosovë atëherë kjo shkakton një gjendje kaosi. Edhe një rrezik të jashtëzakonshëm për demokracinë. E dyta është pastaj që ekzekutivi nuk ka të drejtë me i ndërhy gjyqësorit e aq më pak gjykatës Kushtetuese e cila është institucioni i vetëm që e ka për detyrë interpretimin e Kushtetutës dhe parimin e Kushtetutës”, tha ai.

Duke folur për masën e përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, ai sqaroi se ajo është praktikë e zakonshme në raste të ngjashme.

“Për vendimin konkret të Gjykatës Kushtetuese, ky nuk është vendim, shpesh herë po keqinterpretohet, kjo është masë e përkohshme që është e zakonshme në rastet kur kontestohet një proces në institucionet e Kosovës, në këtë rast në Kuvend. I cili ose veprimet pas të cilit mund të shkaktojnë dëm institucionit si të tillë. Gjykata Kushtetuese ka thënë që tash e tutje deri sa të nxjerrim vendimin për këtë kontestim nuk keni të drejtë me marrë vendime të reja sepse ato mund të jenë antikushtetuese varësisht vendimit që e nxjerr Gjykata Kushtetuese, është masë e zakonshme, e ngrit në një farë mënyre një situatë që mos të lejoj të bëhet më keq. Kjo nuk e paragjykon se si ka me qenë vendimi i Gjykatës Kushtetuese karshi kërkesës së Listës Serbe”, tha ai.

Ndërsa për procedurat e përzgjedhjes së nënkryetarit dhe mbylljen e seancës konstituive pa u zgjedh 5 nënkryetarët në Kuvend, Ymeri u shpreh se aty ka pasur shkelje të qarta kushtetuese.

“Mirëpo për që e ka shkelur Kushtetutën për mendimin tim dhe procedurën Kuvendi, e pastaj kryetari i votuar i Kuvendit kur e ka shpallur të mbyllur seancën pa u zgjedh 5 nënkryetarët, kjo nga perspektiva ime është jashtëzakonisht e qartë që është shkelje kushtetuese. Mirëpo unë nuk muj e as kush tjetër me paramendu e veçanërisht me paragjy aktgjykimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje”, tha ai.

Akuza të shumta në drejtim të Gjykatës Kushtetuese kanë bërë të dielën kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca. Të dy e kritikuan masën e përkohshme të vendosur nga Kushtetuesja të premten, përmes së cilës ndalohen veprimet e deputetëve dhe procedurat për formimin e Qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese një ditë më parë shprehu shqetësim për “deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë”, duke theksuar se pavarësia e saj është themel i shtetit të së drejtës dhe se vendimet bazohen në Kushtetutë, praktikën gjyqësore dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.