Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ekonomia e Kosovës vazhdon të shënojë rritje, duke demantuar pretendimet opozitar se ka rënie.
Murati ka përmendur të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të publikuara dje, ku Bruto Produkti Vendor (BPV) për tremujorin e dytë të vitit 2025 shënoi një rritje prej 4,58%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, që ishte 4,32%, duke treguar përshpejtim të rritjes ekonomike.
Sipas ASK-së, rritje në këtë tremujor kanë shënuar disa aktivitete ekonomike, duke përfshirë ndërtimtari (4,15%), aktivitetet financiare dhe të sigurimit (8,79%), aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, si dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse (4,27%), industria përpunuese (3,34%), administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet sociale (0,99%), tregtia me shumicë dhe pakicë, transporti dhe akomodimi (3,62%), arti dhe argëtimi (2,83%), informacioni dhe komunikimi (2,38%), bujqësia, pyjet dhe peshkimi (2,98%), dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme (0,44%).
Ndërkaq, rënie është regjistruar në disa sektorë si industria nxjerrëse, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër, furnizimi me ujë, si dhe menaxhimi i mbeturinave dhe rehabilitimi, me një ulje prej 6,79%.