Sunny Hill Festival

Marrëveshja për TikTok pranë finalizimit, amerikanët do kenë kontrollin e shumicës së bordit të rrjetit social

Donald Trump ka zbuluar se Rupert Murdoch dhe djali i tij Lachlan mund të përfshihen në një marrëveshje për të sjellë TikTok-un në kontroll amerikan.

Në një intervistë për Fox News (e cila është në pronësi të familjes Murdoch), presidenti i SHBA-së përmendi gjithashtu Michael Dell, themelues dhe CEO i Dell Technologies, si pjesë të mundshme të marrëveshjes. “Mendoj se do të jenë në grup. Disa të tjerë gjithashtu. Njerëz të shkëlqyer, shumë të njohur,” tha Trump. “Dhe janë gjithashtu patriotë amerikanë, e duan këtë vend. Mendoj se do të bëjnë një punë shumë të mirë.”

Trump konfirmoi gjithashtu se Larry Ellison, themeluesi dhe CEO i kompanisë Oracle, është pjesë e këtij grupi – gjë që ishte zbuluar më parë. Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, Oracle do të kujdeset për të dhënat dhe sigurinë e aplikacionit dhe amerikanët do të kenë kontroll mbi gjashtë nga shtatë vendet në bordin e ri të TikTok-ut. Kjo marrëveshje vjen pas një telefonate “shumë produktive” mes Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, gjatë së cilës është diskutuar miratimi përfundimtar i marrëveshjes për TikTok – detaje të shumta të së cilës mbeten ende të panjohura, shkruan Sky News.

Nëse marrëveshja miratohet, TikTok nuk do të ndalohet në SHBA, një ndalim që Kongresi e kishte urdhëruar në janar 2025, nëse kompania kineze ByteDance nuk shiste asetet e saj në Amerikë. Ky afat është shtyrë katër herë nga Presidenti Trump. Trump tha të dielën se mund të jetë “pak i njëanshëm” për TikTok-un. “Nuk isha fans i TikTok-ut, pastaj e përdora dhe u bëra fans. Më ndihmoi të fitoj zgjedhjet me rezultat të thellë”.

Pas telefonatës me Xi, Trump shkroi në Truth Social. “Bëmë përparim në shumë çështje të rëndësishme, përfshirë tregtinë, fentanyl-in, nevojën për të ndalur luftën Rusi-Ukrainë, dhe miratimin e marrëveshjes për TikTok.” Më vonë ai u tha gazetarëve se Xi e kishte miratuar marrëveshjen, por se ajo ende duhej të firmosej.

Përfaqësuesit e familjes Murdoch, Dell dhe Ellison nuk kanë komentuar ende mbi përfshirjen e tyre të mundshme në këtë marrëveshje.