Shtatë figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë përmendur në aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, por asnjëri prej tyre nuk ishte i pandehur në këtë proces dhe nuk është shpallur fajtor.
Bëhet fjalë për Lahi Brahimajn, Fatmir Limajn, Sylejman Selimin, Rrustem Mustafën, Latif Gashin, Shukri Bujën dhe Sabit Gecin.
Gjatë leximit të aktgjykimit më 16 shtator, trupi gjykues i përmendi këta persona në kuadër të konstatimeve për ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. Sipas gjykatës, disa prej tyre kishin role në zbatimin e qëllimit të përbashkët që, sipas aktgjykimit, kishte në shënjestër kundërshtarët e UÇK-së.
Megjithatë, përmendja e emrave në aktgjykim nuk përbën një aktakuzë të re dhe nuk nënkupton se ata janë shpallur fajtorë. Në përmbledhjen e aktgjykimit theksohet se shtatë personave nuk u është konstatuar fajësia dhe se ata gëzojnë prezumimin e pafajësisë.
Avokati i licencuar në Dhomat e Specializuara, Artan Qerkini, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se përmendja e tyre në aktgjykim nuk përbën kallëzim penal. Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte pasur këta emra në aktakuzën e saj që nga viti 2020, por gjatë gjashtë viteve nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tyre.
Sipas Qerkinit, në disa raste mund të ketë edhe pengesa juridike për ndjekje të mëtejshme, përfshirë parimin që një person nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën çështje. Ai ka thënë se rasti i Sylejman Selimit është mbyllur, pasi Prokuroria e Specializuar i kishte ndërprerë hetimet ndaj tij në shkurt 2025.
Edhe Shukri Buja, i cili u përmend në aktgjykim, ka thënë se nuk beson se mund të ndiqet penalisht, duke iu referuar faktit se hetimet ndaj tij ishin mbyllur nga Prokuroria e Specializuar në vitin 2024.
Megjithatë, Prokuroria e Specializuar nuk ka dhënë detaje nëse ndaj ndonjërit prej tyre ekzistojnë hetime aktive. Për REL-in, kjo zyrë ka deklaruar se nuk komenton mbi ekzistencën apo hollësitë e hetimeve të mundshme. Mandati i saj, sipas Prokurorisë, vazhdon derisa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë institucionet e Kosovës se hetimet dhe procedurat përkatëse kanë përfunduar.
Shtatë personat kanë pasur përvoja të ndryshme me drejtësinë. Lahi Brahimaj dhe Fatmir Limaj janë gjykuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe janë shpallur të pafajshëm. Limaj është shpallur gjithashtu i pafajshëm në rastet “Kleçka” dhe “Bellanica” në Kosovë.
Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa dhe Latif Gashi janë dënuar nga gjykatat në Kosovë për krime lufte, ndërsa Sabit Geci është dënuar në Kosovë për krime lufte ndaj civilëve. Shukri Buja nuk ka kaluar nëpër një proces gjyqësor për krime lufte.
Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, Geoffrey Nice, ka thënë se duhet pritur publikimi i plotë i aktgjykimit për të parë arsyetimin e gjykatës për përfshirjen e këtyre shtatë emrave në çështjen ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është i shkallës së parë dhe mund të kundërshtohet përmes procedurave të apelit. /Rel/