AKB alarmon: Kosova në udhëkryq – rrezik ekonomik, social dhe demografik

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mbajtur mbledhjen e rregullt të Bordit Udhëheqës, ku është diskutuar gjendja e rëndë nëpër të cilën po kalon ekonomia e Kosovës dhe rreziqet serioze që kërcënojnë stabilitetin ekonomik, social dhe politik të vendit.

Në këtë mbledhje u trajtuan çështje kyçe që prekin drejtpërdrejt qytetarët dhe bizneset: siguria juridike e investitorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, gjendja e prodhuesve vendorë, tregtia dhe shërbimet, ndërtimtaria, tregu i derivateve të naftës, energjia elektrike pas shtrenjtimit, vjelja e rrushit 2025, sektori i mallrave dhe tekstilit, si dhe pasojat e përjashtimit të Kosovës nga dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bordi i AKB-së ngriti shqetësime të mëdha për rritjen e çmimeve që kanë rënduar jetën e qytetarëve dhe kanë ulur fuqinë blerëse të familjeve. Inflacioni i lartë po gërryen të ardhurat dhe po rrezikon seriozisht bizneset, ndërsa varfëria është në rritje duke shtyrë shumë familje drejt pamundësisë për të përballuar jetesën. Importi për vitin 2025 pritet të arrijë rreth 7 miliardë euro, duke nxjerrë në pah dobësinë e prodhimit vendor dhe varësinë e skajshme nga importi. Ndërkohë, investimet në ndërtimtari, që arrijnë mbi 9 miliardë euro, po konsiderohen si kapital i vdekur që nuk po gjeneron vende pune të qëndrueshme dhe nuk po nxit zhvillim industrial. Një tjetër alarm është rënia e popullsisë, e cila sipas të dhënave është tkurrur për rreth 10% vetëm gjatë vitit të fundit, duke e renditur Kosovën në krye të vendeve me rënie më të shpejtë demografike në botë.

Këto shifra dhe zhvillime alarmante, sipas AKB-së, tregojnë se Kosova ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm, ku mungesa e strategjive zhvillimore dhe pasiviteti institucional po e çojnë vendin drejt një krize të thellë ekonomike dhe sociale.

Në takim morën pjesë anëtarët e kryesisë Agim Shahini, Arianit Koci, Shkëlzen Jusaj, Haziz Tafaj, Ahmet Kuqi dhe Isak Tusha, të cilët dhanë analiza dhe propozime konkrete për zgjidhjen e situatës.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, në përmbyllje deklaroi se Kosova po përballet me një periudhë vendimtare, ku rritja e çmimeve, inflacioni, varfëria, emigrimi dhe tkurrja e popullsisë rrezikojnë seriozisht të ardhmen e vendit. Ai theksoi se nëse institucionet nuk veprojnë me urgjencë për të mbrojtur ekonominë dhe për të fuqizuar prodhuesit vendorë, Kosova rrezikon të boshatiset dhe të mbetet vetëm një treg i varur nga importi.