Uran Ismaili ka falënderuar qytetarët e Prishtinës nëpërmjet një video të postuar në rrjetet sociale.
Ismaili, që ishte kandidat i PDK-së për kryetar të Prishtinës, doli i treti pas Përparim Ramës së LDK-së e Hajrullah Çekut të Vetëvendosjes.
Ismaili mori 27.77 për qind të votave, sipas rezultateve preeliminare në uebfaqen e KQZ-së. Kanë mbetur edhe tri qendra votimi për t’u procesuar. Ismaili ka thënë se nuk është rezultati për të cilin ka shpresuar.
“Ju falënderoj të gjithëve prej zemrës për dashurinë, besimin, mbështetjen dhe angazhimin tuaj gjatë kësaj fushate. Ju keni qenë frymëzimi im më i madh – faleminderit për gjithçka,” tha Ismaili. “Edhe pse jemi rritur gjithandej dhe jemi partia e dytë në Asamble, ky nuk është rezultati për të cilin kemi shpresuar, por prapë jam shumë krenar për punën ekipore dhe frymën pozitive që kemi përfaqësuar në qytet. Faleminderit të gjithëve nga zemra. Shihemi në Prishtinë”.