Gërxhaliu: Nënshkrimi i MSA-së me BE – arritja më e madhe e Kosovës që nuk u shfrytëzua si duhet

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka kujtuar sot përmes një postimi në Facebook përvjetorin e dhjetë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, duke e vlerësuar atë si një nga arritjet më të mëdha shtetërore në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe integrimit evropian.

Sipas Gërxhaliut, MSA-ja ka qenë moment historik për Kosovën, por fatkeqësisht, potenciali i saj nuk është shfrytëzuar sa duhet. “Agjenda politike në Kosovë e ka ngulfatur kreativitetin ekonomik, social, diplomatik dhe integrues”, ka shkruar ai.

Gërxhaliu thekson se Kosova ka pasur nevojë për një konferencë rajonale apo evropiane me rastin e 10-vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes, për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat, por një gjë e tillë nuk ndodhi. “Kjo është e tepërt të pritet nga Kosova në këto rrethana,” – shton Gërxhaliu.

Duke rikujtuar datën historike 27 tetor 2015, kur Kosova nënshkroi MSA-në në Strasburg, Gërxhaliu thekson se kjo marrëveshje ka rëndësi të shumëfishtë, pasi përfshin dimensione politike, ligjore, psikologjike dhe ekonomike të afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Sipas tij, MSA-ja përbën edhe vulën e njohjes së Republikës së Kosovës nga BE-ja, përfshirë edhe ato shtete që ende nuk e kanë njohur formalisht pavarësinë e saj.

Megjithatë, Gërxhaliu vlerëson se mungesa e shfrytëzimit të plotë të kësaj marrëveshjeje ka bërë që Kosova të mos përfitojë nga mundësitë e saj zhvillimore.

“Në vend që, falë MSA-së, të zhvillohej ekonomia vendore dhe të forcohej partneriteti strategjik me BE-në, sot Kosova është nën sanksione të Bashkimit Evropian”, ka theksuar ai.

Gërxhaliu ngre një pyetje simbolike që reflekton realitetin aktual të vendit në raport me BE-në. “Një imazh i krijuar që shumë më tepër shqetëson se sa që premton!

Sa afër e sa larg janë Bashkimi Evropian dhe Republika e Kosovës?”