Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend, duke theksuar se Kosova ndodhet në një moment vendimtar politik dhe institucional, që kërkon vendime të përgjegjshme dhe të përputhshme me realitetin në Kuvend.
Sipas PDK-së, është e qartë se shumica shqiptare në Kuvend, bashkë me disa deputetë të komuniteteve joshumicë, nuk mbështesin më asnjë kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje për formimin e qeverisë. “Çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie do të përbënte humbje kohe dhe do të thellonte mungesën e besimit në institucione”, thuhet në deklaratë.
PDK vlerëson se dështimi i Kurtit për të siguruar shumicën parlamentare është tregues se “askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë”, dhe se çdo përpjekje për ta zgjatur procesin vetëm sa do të thellojë krizën politike.
“Zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike janë zgjedhjet e reja të parakohshme, që do t’i japin qytetarëve të drejtën për të vendosur për drejtimin e ardhshëm të vendit”, thekson partia.
Në reagim, PDK ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për krijimin e një krize të stërzgjatur gjatë këtij viti, e cila, sipas tyre, ka dëmtuar ekonominë, mirëqenien e qytetarëve dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë.
“Rreziku që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë dhe që qytetarët të mbeten pa paga e bën edhe më urgjent përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve,” përfundon reagimi i PDK-së, duke ritheksuar përkushtimin për stabilitet dhe forcim të demokracisë parlamentare në vend.