Xhavit Haliti

Nga Prizreni, Bedri Hamza nis fushatën e PDK-së për 28 dhjetorin

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se do ta hapë zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, me aktivitete të planifikuara për datën 17 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit drejtuar mediave, kandidati i PDK-së për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, do ta nisë fushatën me një tubim në qytetin e Prizrenit. “Hapja zyrtare e fushatës do të mbahet nga ora 17:45, në palestrën e sportit ‘“’Sezai Surroi’”, ka njoftuar PDK.

Pas këtij aktiviteti, Hamza do të vazhdojë me një tjetër tubim elektoral në komunën e Dragashit. Tubimi është paraparë të mbahet nga ora 18:45, në Shtëpinë e Kulturës “Alajdin Xhezairi” në Bresanë.

Nga PDK kanë ftuar përfaqësuesit e mediave që t’i përcjellin nga afër këto ngjarje, duke theksuar se agjenda e publikuar është pjesë e aktiviteteve të para zyrtare të fushatës zgjedhore.

Zgjedhjet e parakohshme pritet të mbahen më 28 dhjetor, ndërsa partitë politike kanë intensifikuar përgatitjet për prezantimin e programeve dhe kandidatëve para qytetarëve.