Astrit Desku takon studentët nga Klina, prezanton ofertën e tij për përfaqësim në Kuvend

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Astrit Desku me numer (54), ka zhvilluar një takim me studentë nga Klina, me të cilët ka diskutuar për sfidat me të cilat përballen të rinjtë dhe për vizionin e tij në rast se zgjidhet deputet në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë takimit, Desku ua ka prezantuar studentëve prioritetet dhe angazhimet e tij, duke theksuar rëndësinë e arsimit cilësor, përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje dhe krijimit të kushteve më të mira për zhvillim dhe punësim.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Desku ka vlerësuar rolin e studentëve si faktor kyç për ndryshim në shoqëri. “Studentët janë energjia dhe zëri që na kujton pse ndryshimi është i domosdoshëm. Sot pata kënaqësinë të dëgjoj nga afër shqetësimet reale të studentëve dhe idetë e tyre për një Kosovë më të zhvilluar dhe më të drejtë”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se gjatë bashkëbisedimit është theksuar se vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të arrihen ndryshime të qëndrueshme në vend, duke bërë thirrje për shpresë dhe pjesëmarrje aktive në proceset demokratike.

Takimi me studentët nga Klina është pjesë e aktiviteteve të fushatës së Astrit Deskut, i cili po prezanton programin dhe vizionin e tij në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme.