Vitamina D është një nga më të rëndësishmet për trupin, por edhe një nga më të anashkaluarat.
Ajo luan rol të rëndësishëm në më shumë se 200 funksione në organizëm, përfshirë shëndetin e eshtrave, sistemin imunitar dhe funksionin e trurit, ka shkruar magazina GQ.
“Vitamina D është thellësisht e integruar në trupin tonë dhe e ndihmon atë në shumë mënyra”, ka thënë doktori Neil Paulvin.
Doktoresha Neha Sangwan ka shpjeguar se Vitamina D sillet më shumë si hormon sesa si vitaminë. Ajo ka thënë se kjo vitaminë ndikon në rregullimin e hormoneve, uljen e inflamacionit dhe forcimin e sistemit imunitar.
Si ta kuptoni nëse keni mungesë?
Mënyra më e saktë është analiza e gjakut e quajtur testi 25-hidroksi vitaminë D.
“Nivelet e shëndetshme janë mes 50 dhe 75 nanogramë për decilitër”, ka thënë Sangwan.
Disa shenja të mungesës janë mjegullim i mendjes, dhimbje në nyje, depresion, pagjumësi dhe sistem imunitar i dobët.
“Mungesa e vitaminës D ndikon në prodhimin e serotoninës dhe dopaminës në tru, çka lidhet me humorin dhe kënaqësinë”, ka thënë doktori Ryan Greene.
Pse është problem mungesa e vitaminës D?
Mungesa e saj ndikon në forcën e eshtrave dhe muskujve, shëndetin e dhëmbëve, zemrës dhe jetëgjatësinë.
Në raste të rralla, mungesa e rëndë mund të shkaktojë rahitizëm, sidomos te fëmijët.
Rahiti (ose rahitizmi) është sëmundje që prek kryesisht fëmijët dhe ndodh kur trupi nuk ka mjaftueshëm vitaminë D.
Kjo vitaminë është shumë e rëndësishme sepse ndihmon trupin të përthithë kalciumin dhe fosforin, të cilët janë të domosdoshëm për zhvillimin e shëndetshëm të eshtrave.
Kur mungon vitamina D, eshtrat nuk forcohen si duhet, bëhen të buta dhe mund të deformohen.
Te fëmijët, rahiti mund të shkaktojë këmbë të shtrembëruara, vonesë në rritje, dhimbje të eshtrave dhe muskujve, si dhe dobësi të përgjithshme fizike.
Në thelb, rahiti është pasojë e mungesës së vitaminës D dhe çon në zhvillim jo të rregullt të eshtrave gjatë rritjes.
Si ta parandaloni mungesën?
Ekspozimi në diell është një nga mënyrat më të mira për të marrë vitaminë D.
Ushqimet si qumështi dhe produktet e qumështit, peshqit yndyrorë (salmon, sardele) dhe arroret ndihmojnë, por zakonisht nuk mjaftojnë.
Ekspertët rekomandojnë edhe suplemente.
“Forma D3 përdoret më mirë nga trupi”, ka thënë Paulvin, ndërsa Sangwan ka sugjeruar kombinimin e saj me vitaminë K2 për përthithje më të mirë.
Për t’u siguruar që trupi po merr sasinë e duhur, doktorët këshillojnë kontroll periodik të niveleve të vitaminës D përmes analizave të gjakut.