Njësitë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë nisur veprime operative edhe në Gjakovë, në kuadër të një hetimi të zgjeruar që lidhet me dyshimet për manipulim të rezultateve zgjedhore, mëson Gazeta Sinjali.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se hetimet po zhvillohen ndaj disa komisionerëve të qendrave të votimit, të cilët dyshohen se kanë ndërhyrë në procesin e numërimit dhe administrimit të votave, duke cenuar integritetin e procesit zgjedhor.
Sipas informacioneve, operacioni është ende në fazë aktive dhe në orët në vijim priten edhe ndalime për ata që kanë falsifikuar rezultatin, pasi tashmë janë siguruar prova materiale dhe dokumentare që ndërlidhen me manipulimin e rezultateve.
Hetimet po zhvillohen në koordinim të ngushtë me Prokurorinë kompetente, ndërsa pritet që autoritetet të dalin me detaje zyrtare sapo të finalizohen veprimet procedurale.