Xhavit Haliti

Kurti nuk do t’i bëjë ministra të gjithë ata që i prezantoi në tetor

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar ndryshime në kabinetin e qeverisë “Kurti 3” në raport me emrat që i pati prezantuar në Kuvend kur e kërkonte votën muaj më parë.

Më 26 tetor 2025, Kurti pati dështuar në Kuvend pasi prezantoi përbërjen me të cilën synonte të merrte votën për të qeverisur.

“Do të ketë shumë prej emrave që tashmë i kam prezantuar edhe unë dhe Glauk Konjufca vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë”, ka thënë ai në një deklaratë për mediat pas përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë.

Në dy raste, pos Kurtit edhe Glauk Konjufca si mandatar për kryeministër patën propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 15 në 19. 

Në këtë deklaratë, Kurti tutje pati thënë se Kuvendi duhet të formohet sa më shpejt dhe të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare për qindramiliona euro përfitime për Kosovën. Ai ka kujtuar edhe domosdoshmërinë që buxheti të miratohet sa më shpejt.

Në zgjedhjet e fundit, të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit mori më shumë se 50 për qind të votave. Këto vota i mjaftojnë për të formuar qeverinë në bashkëpunim vetëm me pakicat.