Xhavit Haliti

Abdixhiku takon Presidenten Osmani: LDK mbështet iniciativën e Trump për Bordin e Paqes

Me ftesë të Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar sot me të për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për Kosovën.

Gazeta Stop mëson se gjatë takimit, Abdixhiku është informuar për iniciativën e Presidentit amerikan Donald Trump për themelimin e Bordit të Paqes, një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes në nivel global, duke kontribuar edhe në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Sipas Abdixhikut, ai i ka shprehur Presidentes Osmani mbështetjen e plotë të LDK-së për këtë iniciativë, duke theksuar se forcimi i paqes, i aleancave strategjike — në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës — si dhe rritja e rolit ndërkombëtar të Kosovës, duhet të mbeten përparësi shtetërore.

Në këtë kontekst, Gazeta Stop raporton se Abdixhiku ka riafirmuar se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj orientimit euroatlantik dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët strategjikë të Kosovës.