Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë përmes së cilës ka kërkuar nga Gjykata Speciale në Hagë që të ushtrojë proces gjyqësor të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në prezantimin e përmbajtjes së kësaj rezolute, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, tha se rezoluta është hartuar nga ekspertë të pavarur.
Kuvendi me 90 vota për e miratoi përmbajtjen e plotë të rezolutës, e cila rikonfirmon përkushtimin e plotë të Kuvendit për respektimin e rendit kushtetues për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke rikujtuar se qëllimi i tyre ishte adresimi i akuzave të dala nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, të cilat, sipas tekstit, nuk janë përfshirë në aktakuzat pas më shumë se një dekade hetimesh.
Dokumenti shpreh besim në vlerat e UÇK-së dhe nderon sakrificën për liri e pavarësi dhe njëkohësisht thekson përkushtimin për demokracinë, ndarjen e pushteteve, pavarësinë e gjyqësorit dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore sipas Kushtetutës dhe instrumenteve ndërkombëtare.
Kuvendi kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar zbatim të përpiktë të Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare për gjykim të drejtë, transparencë dhe mbrojtje të të drejtave të të akuzuarve, përfshirë ish-udhëheqësit e UÇK-së, si dhe nga Ombudspersoni të veprojë me pavarësi të plotë.
Rezoluta po ashtu u bën thirrje shteteve financuese dhe organizatave ndërkombëtare për respektim dhe monitorim të standardeve, ndërsa konfirmon mbështetjen institucionale dhe financiare për mbrojtjen juridike të të akuzuarve dhe angazhimin për afirmimin e vlerave të luftës së UÇK-së.
Abstenimi i LDK-së dhe përplasjet me PDK-në
Para votimit, nga Lidhja Demokratike e Kosovës kërkuan që rezolutës t’i shtohet edhe një pikë përmes së cilës do të kërkohej zbardhja e vrasjeve para dhe pas luftës.
“Kjo pikë e rezolutës kërkon nga të gjitha institucionet e rendit dhe ligjit të Republikës së Kosovës, si dhe inkurajon mbështetjen ndërkombëtare për intensifikimin e përpjekjeve drejt zbardhjes së plotë të të gjitha vrasjeve të pazbuluara të ndodhura gjatë dhe pas periudhës së luftës në Kosovë me qëllim që të sigurohet drejtësia për të gjitha viktimat, të zbardhet e vërteta dhe të fuqizohet shteti i së drejtës mbi parimet e paanësisë dhe barazisë para ligjit”, tha Jehona Lushaku, shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së.
Por, Përparim Gruda i PDK-së tha se teksti është i një grupi profesorësh, rreth 300 anëtarë, që janë deponuar si peticion në Kuvendin e Kosovës dhe nuk është një tekst i hartuar nga partitë, dhe tha se vetëm ka pasur dakordim.
“Ajo që rezoluta synon të bëjë është që të kërkojë atë për çfarë ka votuar Kuvendi i Kosovës, pra të ketë një gjykatë që respekton standardet evropiane dhe Kushtetutën e Kosovës. Është e pamundur të bëjmë ndryshim”, iu kundërpërgjigj Përparim Gruda.
Megjithatë, Lushaku insistoi që pika e propozuar nga ta, të përfshihet në rezolutë.
“Edhe ky tekst është tekst ekspertësh, dhe ne mendojmë se edhe ky formulim është në dakordim të tekstit të përgjithshëm të rezolutës, andaj do të dëshironim ta kishim pjesë të saj, tha ajo.
PDK falenderoi deputetët për miratimin e rezolutës
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përshëndet dhe falënderon deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratimin e Rezolutës në mbrojtje të të drejtave të çlirimtarëve në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerëve
Sipas PDK-së, kjo Rezolutë u fut në rend dite dhe u votua sot në seancën e parë të legjislaturës së X-të të Kuvendit, pas kërkesës së Grupit Parlamentar të kësaj partie. Ajo shënon një moment të rëndësishëm institucional dhe kombëtar, duke theksuar përkushtimin për një proces të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet kushtetuese e ndërkombëtare.
“Rezoluta kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të sigurojnë respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare dhe kushtetuese, transparencën dhe llogaridhënien, si dhe kultivimin e besimit publik në drejtësi. Ajo konfirmon gjithashtu zotimin e institucioneve të Kosovës për të mbështetur të drejtën e mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe mbështetjen financiare”.
PDK e konsideron këtë votim si një akt përgjegjësie shtetërore dhe uniteti institucional, duke theksuar se mbrojtja e një procesi të drejtë ligjor, respektimi i dinjitetit të luftës çlirimtare dhe afirmimi i vlerave mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës janë obligime që tejkalojnë përkatësitë partiake.
“Ne do të vazhdojmë të jemi gardianë të Kushtetutës, të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të së drejtës për drejtësi të paanshme, në emër të shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës,” thuhet në komunikatën e PDK-së.
Reagimet tjera
Deputeti i vetëm që votoi kundër rezolutes ishte Fatos Geci i LVV-së.
Ai e ka cilësuar atë si një dokument që synon mbrojtjen e individëve.
“Në tërësi jam kundër krerëve, jo të UÇK-së por të individëve dhe jam shumë krenar për veprimin që e bëra. Teksti flet për mbrojtjen e individëve të cilët janë në Hagë, në Gjykatën Speciale”, ka thënë Geci.
Por, analistët Sadri Ramabaja dhe Visar Ymeri në Debat Plus kanë komentuar miratimin e rezolutës nga Kuvendi i Kosovës lidhur me Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se dokumenti ishte i domosdoshëm dhe i formuluar me kujdes për të ruajtur neutralitetin institucional.
Sadri Ramabaja ka theksuar se miratimi i rezolutës ishte një hap i domosdoshëm dhe se nuk ka pasur nevojë për debat shtesë rreth tekstit.
“Nuk ka pas vend për debat këtu rreth tekstit të rezolutës. Dhe mendoj që ka qenë dashtë të votohet ngjashëm. Është mirë që është votuar, ka kaluar. Është mirë që është votuar po sot një rezolutë e ngjashme në Tiranë. Dhe kaq do të duhej ta bënin minimumi dy republikat tona”, ka deklaruar Ramabaja.
Ndërkaq, Visar Ymeri ka vlerësuar se rezoluta është hartuar në mënyrë të balancuar, me synimin për të shmangur çdo interpretim si ndërhyrje në procesin gjyqësor.
“Rezoluta thotë aman respektoj të drejtat juridike të njeriut dhe parimet ndërkombëtare… dhe rezoluta po kërkon që njerëzit e pafajshëm s’mund t’i çosh në burg veç pse ty ka tek, ama s’po thotë që s’mund t’i çosh ata që kanë faj. Prandaj po them se çfarëdo shtese në të do të mund të prishte balancin, neutralitetin”, ka thënë Ymeri. /Telegrafi/