Karbohidratet që ndihmojnë për humbje peshe

Karbohidratet nuk janë armiku i dobësimit. Përkundrazi, sipas dietologëve, zgjedhja e llojit të duhur të karbohidrateve mund t’ju ndihmojë të humbni peshë në mënyrë të qëndrueshme, pa hequr dorë nga buka apo makaronat, ka shkruar EatingWell.

Shumë njerëz besojnë se duhet të eliminojnë karbohidratet për të rënë në peshë. Por shmangia totale e tyre mund të ketë pasoja negative në afat të gjatë. Karbohidratet gjenden jo vetëm te buka dhe ëmbëlsirat, por edhe te frutat, perimet, arrat, fasulet, thjerrëzat dhe produktet e qumështit.

Sipas dietologes Caroline Susie, zëdhënëse e Academy of Nutrition and Dietetics, çelësi qëndron te karbohidratet komplekse, sidomos ato të pasura me fibra.

“Karbohidratet ofrojnë shumë përfitime shëndetësore. Fibrat që gjenden te karbohidratet komplekse ju mbajnë të ngopur për më gjatë, gjë që është lajm i mirë nëse po përpiqeni të menaxhoni peshën”, ka thënë ajo.

Studimet tregojnë se personat që rrisin konsumimin e fibrave humbin më shumë peshë krahasuar me ata që konsumojnë pak fibra. Për më tepër, ata kanë tendencë të zgjedhin ushqime më të shëndetshme dhe më ushqyese.

Cili është karbohidrati më i mirë për dobësim?

Sipas Susie, zgjedhja më e mirë janë drithërat e plota. Këto përfshijnë kokrrën e plotë të grurit, krunden, embrionin dhe endospermën, duke ruajtur të gjitha vlerat ushqyese.

“Drithërat e plota janë të shijshme, shumë ngopëse dhe burim i shkëlqyer fibrash”, ka theksuar ajo.

Pse drithërat e plota ndihmojnë në humbjen e peshës?

Ju ndihmojnë të qëndroni konsistentë

Dobësimi kërkon qëndrueshmëri. Dietat shumë kufizuese janë të vështira për t’u mbajtur. Përfshirja e drithërave të plota në ushqim ul ndjenjën e privimit dhe e bën më të lehtë ndjekjen e planit ushqimor.

Mbrojnë nga sëmundjet kronike

Zëvendësimi i drithërave të rafinuara me drithëra të plota lidhet me rrezik më të ulët për sëmundje të zemrës, diabet dhe disa lloje kanceri. 
Udhëzimet dietike amerikane rekomandojnë 2-4 racione drithërash të plota në ditë dhe kufizimin e karbohidrateve të rafinuara.

Mbështesin peshën e shëndetshme

Studimet tregojnë se personat që konsumojnë më shumë drithëra të plota kanë rrezik më të ulët për shtim në peshë. Ato mund të ulin oreksin dhe të përmirësojnë shëndetin e zorrëve, gjë që ndikon pozitivisht në metabolizëm.

Mund të ndihmojnë në uljen e dhjamit abdominal

Konsumimi më i shpeshtë i drithërave të plota lidhet me më pak yndyrë viscerale (dhjami i brendshëm në bark), i cili shoqërohet me rrezik më të lartë për sëmundje metabolike.

Ndërrime të thjeshta si buka e bardhë me bukë integrale ose makaronat e bardha me ato integrale mund të bëjnë ndryshim.

Çka tjetër duhet pasur parasysh?

Sipas Susie, kufizimi i madh i karbohidrateve mund të sjellë rënie të shpejtë në peshë, por qëllimi është rezultati afatgjatë. Dietat shumë të ashpra shpesh dështojnë sepse krijojnë ndjenjë privimi.

Ajo rekomandon:
-Të hani në orare të rregullta për të shmangur urinë e tepruar.
-Të kontrolloni porcionet.
-T’i kombinoni karbohidratet me proteina për ngopje më të gjatë (p.sh. tërshërë me vezë, makarona integrale me pulë, oriz integral me karkaleca dhe perime).

Nëse duhet zgjedhur një karbohidrat ideal për dobësim, sipas dietologëve, drithërat e plota janë opsioni më i mirë.

Orizi i kaftë, buka integrale, makaronat integrale e bullguri janë të pasura me fibra dhe proteina bimore, ju mbajnë të ngopur dhe janë pjesë e një mënyre ushqimi që mund të ndiqet në afat të gjatë, çelësi i vërtetë i suksesit në humbjen e peshës.