Ora e Presidentit po afrohet, por Presidenti nuk dihet

Afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës po shkon drejt fundit, duke e vënë skenën politike nën presion të shtuar për të arritur një marrëveshje brenda afateve ligjore.

Me çdo ditë që kalon, hapësira për kompromis po ngushtohet, ndërsa 5 marsi mbetet data e fundit kur Kuvendi duhet të përmbyllë procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit.

Pavarësisht takimeve dhe deklaratave publike, ende nuk ka një emër konsensual apo një marrëveshje të qartë politike që do të siguronte votat e nevojshme në Kuvend.

Kjo situatë ka intensifikuar diskutimet mes pozitës dhe opozitës, me theks të veçantë në nevojën për një zgjidhje që garanton stabilitet institucional dhe respektim të rolit kushtetues të Presidentit.

Deputetja boshnjake Emilja Rexhepi, për FrontOnline ka deklaruar se do ta mbështesë kandidatin për President të Kosovës që do të propozohet nga kryeministri Albin Kurti, duke theksuar rolin vendimtar të grupit multietnik në procesin e votimit.

“Do të votoj për kandidatin e propozuar nga Kryeministri Kurti”, ka thënë Rexhepi, duke nënvizuar se Lëvizja Vetëvendosje (VV) disponon 57 vota në Kuvend.

Ajo ka shtuar se grupi multietnik ka nëntë deputetë dhe se pa mbështetjen e tyre nuk mund të zgjidhet asnjë kandidat për president.  “VV ka 57 vota. Ne nga grupi multietnik jemi 9. Pa ne, është e pamundur që ndonjë kandidat tjetër të kalojë”, ka deklaruar Rexhepi për FrontOnline.

Ish-deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka deklaruar se LDK e ka shprehur qartë pozicionin e saj politik lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, si në takimin me kryeministrin Albin Kurti, ashtu edhe publikisht. “Ne kemi shprehur qartë pozicionin tonë politik edhe në takim me Kurtin por edhe në publik”, ka thënë Zogaj,.

Ai tha se qëndrimi i LDK-së parasheh dy alternativa për zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Pozicioni i LDK-së është ky: I kemi dy rrugë përpara për zgjidhjen e çështjes së Presidentit. Njëra rrugë është konsensusi i plotë i gjitha partive në vend, ku gjitha partitë ulen dhe e gjejnë kandidatin për President dhe rruga e dytë është rruga për marrëveshje politike mes LVV dhe LDK-së”, ka theksuar ai.

Sipas Zogajt, përpara se të diskutohet për emra konkretë, duhet të ketë pajtim për qasjen që do të ndiqet.

“Por së pari duhet të merremi vesh për rrugën që po e marrim përpara, pra për cilin opsion jemi e pastaj flasim për emra, por ne nuk flasim për asnjë emër të përveçshëm”, ka deklaruar ish-deputeti i LDK-së.

Ai ka sqaruar se një nga opsionet mbetet edhe një marrëveshje politike me Lëvizja Vetëvendosje (LVV), në të cilën LDK do ta paraqiste kandidaturën për President.

“Marrëveshje politike me LVV-në ku LDK paraqet kandidaturën për President. LDK është parti e madhe, serioze dhe kemi emra për President, e kemi kryer edhe më përpara këtë detyrë”, ka thënë Zogaj.

Në fund, ai ka nënvizuar se qëndrimi i LDK-së nuk buron nga interesa partiake, por nga interesi shtetëror, duke theksuar rolin kushtetues të Presidentit. “Ne nuk po insistojmë për hir të LDK-së por për hir të Kosovës. Nuk mundet Presidenti me qenë zgjatim i Qeverisë sepse ky nuk është opsion kjo”, ka përfunduar Zogaj.

Ish-deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, për FrontOnline ka komentuar zhvillimet rreth procesit të zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.

Sipas Brahimajt, Bajrami fillimisht do të duhej të siguronte mbështetje brenda PDK-së, gjë që, sipas tij, nuk është arritur plotësisht.

“Arsim Bajrami nuk është kandidat i PDK-së. Ai fillimisht ish dashur të merrte mbështetjen nga PDK, për çka besoj se nuk e ka përkrahjen e të gjithëve në PDK. Pa e diskutuar në struktura, ne s’kemi qëndrim për të”, ka deklaruar Brahimaj.

Ai ka kritikuar edhe veprimet e kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrit Glauk Konjufca, pas vizitës së tyre në Prekaz. Brahimaj ka thënë se fillimisht ka menduar se vizita kishte të bënte me Epopenë e UÇK-së, por ka vlerësuar se qasja e duhur do të ishte tjetër.

“Do të ishte më e udhës që Kurti të bisedonte me liderët e opozitës, me i thënë: po dua me nominu dikë nga familja Jashari, a mi jepni votat, e me shku pastaj në Prekaz e me i thënë se unë i kam 100 vota të garantuara, a ma jepni njërin djalë për kandidat”, ka theksuar ai për FrontOnline.

Në këtë kontekst, Brahimaj ka vlerësuar si dinjitoz qëndrimin e përfaqësuesve të familjes Jashari, duke përmendur përgjigjen e Bekim Jashari dhe Murat Jashari, për të cilët tha se reagimi i tyre ishte në nivelin e duhur.

Analisti politik Blerim Canaj, për FrontOnline ka komentuar zhvillimet rreth procesit të zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, duke vlerësuar mundësinë e kandidimit të Arsim Bajrami, por duke shprehur skepticizëm për arritjen e nënshkrimeve dhe votave të nevojshme.

“Në qoftë se prof. Bajrami arrin që t’i sigurojë nënshkrimet dhe votat pse jo, duke e ditur bagazhin e tij edhe meqë nuk është pjesë e asnjë partie politike, është një kalibër dhe aset, por a mund të arrihet apo jo, mua më duket e vështirë”, ka deklaruar Canaj.

Sipas tij, mbështetja eventuale nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk do të ishte e mjaftueshme.

 “Nga PDK mund t’i sigurojë 22 nënshkrime, por i duhen edhe 8, por e ka të vështirë”, ka shtuar ai.

Canaj ka përmendur edhe interesimin e mëhershëm të Kolë Krasniqi, duke theksuar se sfida kryesore mbetet sigurimi i nënshkrimeve dhe votave.

“Më herët edhe Kolë Krasniqi e ka shprehur interesimin, por si do t’i sigurojnë nënshkrimet dhe votat është e vështirë”, ka thënë analisti për FrontOnline.

Duke vlerësuar rrjedhën aktuale të procesit politik, Canaj ka paralajmëruar edhe një skenar të ri zgjedhor.

“Duke parë ecjen e procesit, kjo strukturë politike do na dërgojë edhe një herë në zgjedhje”, ka përfunduar ai.