Mbi 19 mijë qytetarë kanë firmosur deri më tani peticionin e iniciuar nga organizatat e dala nga lufta për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahet në Hagë.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga OVL e UÇK-së, transmeton Klankosova.tv.
Në peticionin kombëtar drejtuar Dhomave të Specializuara të gjykatës me seli në Hagë kërkohet që vendimi për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të bazohet ekskluzivisht në prova dhe fakte të administruara në gjykim.
“Çdo ndikim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë politik, do të dëmtonte rëndë kredibilitetin e drejtësisë ndërkombëtare, e cila presim të jetë e paanshme dhe pa standarde të dyfishta.Respektim të plotë dhe të pakushtëzuar të të drejtave themelore të të akuzuarve, respektim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, si dhe respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; që garantojnë proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm, në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë”.
“Trajtim dinjitoz dhe njerëzor, në përputhje me konventat ndërkombëtare për të drejtat e të paraburgosurve, duke garantuar respekt të plotë për integritetin fizik dhe psikologjik të tyre; përfshirë këtu edhe heqjen e menjëhershme të masës së paraburgimit, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e jashtëzakonshme të procesit dhe parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm”, thuhet mes tjerash në peticion.