Gardenland Resort, model i turizmit 365 ditë në vit 

Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) nga Kosova mori pjesë në ceremoninë e hapjes së sezonit turistik 2026 në Gardenland Resort Hotel, duke e cilësuar këtë investim si një shembull të suksesshëm të zhvillimit të turizmit gjatë gjithë vitit në Shqipëri.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se vizioni dhe puna e palodhshme e zotit Përparim Raboshta dhe bashkëpunëtorëve të tij përbëjnë një model frymëzues për bizneset në Kosovë dhe Shqipëri. Sipas tij, funksionimi i një hoteli 365 ditë në vit dëshmon se turizmi mund të jetë një shtyllë e qëndrueshme e zhvillimit ekonomik dhe një promotor i bashkëpunimit rajonal.

Ai shtoi se iniciativa të tilla kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e punësimit, promovimin e destinacioneve turistike dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.

Në shenjë respekti dhe bashkëpunimi kombëtar, delegacioni i AKB-së i dhuroi zotit Raboshta një palë këpucë të qëndisura me flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë, prodhim vendor “Made in Kosova” nga kompania Solid në Suharekë.

Ky gjest simbolik u vlerësua si një mesazh i fuqishëm i bashkëpunimit ekonomik dhe i lidhjes së fortë ndërmjet bizneseve shqiptare.

Pjesëmarrësit uruan një sezon turistik të suksesshëm për vitin 2026, duke shprehur bindjen se Gardenland Resort do të vazhdojë të tërheqë vizitorë të shumtë dhe të shërbejë si shembull i zhvillimit modern të turizmit në rajon.

Përfaqësuesit e AKB-së theksuan se turizmi dhe bizneset shqiptare kanë potencial të madh për të ecur përpara së bashku, duke krijuar më shumë mundësi ekonomike dhe duke forcuar bashkëpunimin mbarëkombëtar.