Kosova ka rrezik të shkojë në zgjedhjet e treta parlamentare brenda vitit. Pyetja është kur, por për këtë pyetje, përgjigja mund të kërkohet më vonë.
Nëse presidenti nuk zgjedhet deri sot në orën 00:00, atëherë Kosova shkon në zgjedhje.
Pushteti, pra VV-ja, po insiston që opozita t’i jap nënshkrimet për një kandidat të dytë, që të ftohet seanca. Nëse nuk ka kandidat të dytë, Albulena Haxhiu tha se nuk ka as seancë.
Kjo situatë, pritet ta çojë Kosovën në diçka të paprecedentë.
Opozita ka theksuar se në asnjë formë nuk do të japin nënshkrime për t’ia bërë kuroumin Glauk Konjufcës.
Vlora Çitaku tha se presidenti duhet të jetë produkt i dialogut.
“Ky Parlament dhe Kosova nuk është lodër fëmijësh. Është ndërtuar me gjak, me mund, me sakrificë. Dhe ne, si Partia Demokratike e Kosovës, kemi bërë pjesën tonë të punës. Jemi përgjigjur pozitivisht kërkesave për takim, jemi munduar që të ofrojmë zgjidhje. Mirëpo, çfarë është kërkuar nga ne është nënshtrim ndaj vullnetit politik të zotit Kurti. Zoti Kurti ka fituar 50% të votave dhe për atë arsye qeveris i vetëm dhe udhëheq kuvendin. Mirëpo, Presidenti i Republikës duhet të jetë një grua apo burrë që përfaqëson unitetin qytetar dhe, mbi të gjitha, i cili apo e cila do të ishte garantues i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ne nuk mund të propozojmë një emër vetëm sa për të marrë pjesë dhe sa për t’i ofruar dhe siguruar kuorumin zotit Albin Kurti. Ne kemi qenë të qartë, ne kërkojmë që Presidenti i ardhshëm të jetë produkt i një procesi politik, i dialogut dhe marrëveshjeve”, tha Çitaku.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se presidenti është komprometuar.
“Procesi është kompromentuar tani. Mbrëmë kuptova nga deklarimet e Presidencës se deri sa ne kemi qenë në biseda, ata kanë shkuar kanë kërkuar fajësime për opozitën. Në një anë je në tavolinë me dikë, në anën tjetër bën skenar të fajësimit. Ky është kompromentim i rëndë i procesit, prandaj s’shoh arsye të kemi takime të tjera për këtë çështje”, ka thënë Abdixhiku.
Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, e akuzoi opozitën që po e çon vendin drejt zgjedhjeve.
“Po Vetëvendosja tok t’ban nganjëherë. Ishte propozim i Vetëvendosjes edhe tash ecim përpara. Duhet ta bëjë edhe më së miri, versioni më i mirë është që edhe opozita ta bëjë propozimin e vet. Mendoj që pyetja që po mungon këto dy-tri ditë, bile mbase nuk po e bëjnë gazetarët, qe unë po e bëj këtë pyetje: partitë politike PDK-ja dhe LDK-ja marrë mendja se duhet të përcaktohen, nëse nuk e votojnë Glauk Konjufcën, kënd do ta votini? Për besë nëse e propozojnë ndonjë emër, ndoshta edhe unë e votoj. Atë tjetrin në vend teme. Po askush nuk po propozon. As PDK-ja, as LDK-ja. Jam shumë kureshtar me ditë kush është ai që ata do ta votonin nëse nuk jam unë, edhe Vetëvendosja do ta votonte për mos me shku në zgjedhje. Po duhet me nxjerrë një emër ata, për me na tregu kush është ai nëse nuk bëni i Vetëvendosjes. Nuk e bëjmë, nuk e bëjmë sepse duhet ta propozojë opozita. Atëherë do të shohim, do të vazhdojmë sipas procedurave. Po pse e kemi lënë është që opozita ta propozojë një, ne tonin, dhe pastaj të vazhdojmë. Po nga dy herë i ka taku kryeministri Kurti liderët e partive opozitare. Natyrisht që ua ka kërku mbështetjen. Nëse nuk e kemi mbështetjen, nëse nuk e kemi mbështetjen, ata duhet të dalin me emrat e tyre. Unë nuk e përjashtoj, ka shumë njerëz më të mirë se unë. Ka shumë njerëz më të përgatitur se unë”, tha ai.
Albulena Haxhiu tha se nëse nuk ka nënshkrime për kandidatin e dytë, Kosova hyn në territor të pashkelur.
‘‘Unë po i trajtoj dy çështje që ndërlidhen me mënyrat se si vendi shkon në zgjedhje, në situatat aktuale. Në situatat aktuale, vetëm në qoftë se në raundin e tretë asnjëri prej kandidatëve nuk i merr votat 61, pastaj vendi shkon në zgjedhje. Dhe tjetra që parashihet në Kushtetutë, është në qoftes se brenda afatit 60 ditor nuk arrin të zgjidhet presidenti, prej nisjes së procedurave që i bie nëse ne do të nisnim sot, afati vlen prej sot, por meqenëse ende s’kemi nisur, ky afat nuk fillon të vlejë. Në këtë drejtim me situatën kur nuk ka një kandidat të dytë, nëse nuk do të ketë as nesër, ne nuk mund të paragjykojmë, presim deputetët të adresojnë përgjegjësinë që kanë. Por nëse ne do të jemi me gjashtë mars e tutje, nuk përcaktohet saktësisht se çka ndodh nëse presidenti zgjidhet pas këtij afati. Sepse Kushtetuta thotë që presidenti duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit. Prandaj hyjmë në teren tjetër, shpesh quhet teren i pashkelur.’’, ka thënë ajo.