Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.
Gjykata vlerëson se masa e përkohshme “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, në një prononcim për Front Online ka deklaruar se aktualisht po pritet vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës për të sqaruar situatën e krijuar rreth dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës.
Sipas Halitit, Lëvizja Vetëvendosje është angazhuar maksimalisht për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe pret që Gjykata Kushtetuese t’i japë të drejtë në këtë çështje n mënyrë që të procedohet me zgjedhjen e presidentit të vendit.
Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke vlerësuar se situata aktuale është krijuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
Sipas Halitit tashmë vendimi për zhvillimet e mëtejme është në dorën e Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ndërsa të gjitha palët janë të obliguara ta respektojnë vendimin që do të marrë kjo gjykatë lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Haliti ka thënë se, nëse Kushtetuesja vendos ta miratojë dekretin e presidentes, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.
Haliti ka shprehur shqetësimin e tij për faktin se presidentja, sipas tij, ka marrë vendim për t’ua marrë mandatin 120 deputetëve të zgjedhur nga populli, ndonëse, sipas Halitit , një vendim i tillë mund të merret vetëm nga parlamenti me votat e deputetëve.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri ka deklaruar se për partinë e saj parësore mbetet respektimi i Kushtetutës në situatën aktuale politike në Kosovë.
Sipas saj, duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese e Kosovës lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani dhe afatin e 31 marsit që lidhet me masën mbrojtëse, pasi sipas saj nuk mund të ketë hapa të mëtejmë pa qartësi ligjore.
Deputetja e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se situata aktuale u bë publike në momentin kur, sipas saj, kryeministri Albin Kurti nuk kishte interes që të zgjidhej një president që konsiderohej si kandidat konsensual.
Kadrijaj ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e gatshme për zgjedhje dhe se fillimisht partia kishte qenë duke u përgatitur për zgjedhjet e brendshme partiake, por ato janë pezulluar për shkak të situatës së krijuar politike në vend. /FrontOnline/