Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), në bashkëpunim me Dino Company, ka organizuar një iftar të përbashkët në Hotel Brezovica, ku morën pjesë përfaqësues të komunitetit të biznesit, partnerë ndërkombëtarë si dhe figura të rëndësishme institucionale e politike nga vendi dhe rajoni.
Ky aktivitet u organizua në frymën e muajit të Ramazanit, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve publike, si dhe për të diskutuar sfidat dhe mundësitë për zhvillimin ekonomik të vendit, shkruan Gazeta Stop.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se organizimi i këtij iftari është një shenjë mirënjohjeje për të gjithë ata që gjatë gjithë vitit kanë qenë pranë biznesit dhe kanë kontribuar në zhvillimin e ekonomisë në Kosovë.
“Ky është një iftar falënderimi për të gjithë partnerët, miqtë dhe institucionet që kanë qenë pranë biznesit dhe që kanë kontribuar në forcimin e ekonomisë së vendit. Bashkëpunimi ndërmjet bizneseve dhe institucioneve është çelësi për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e tregut,” u shpreh Shahini.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ish-kryeministri i Maqedonia e Veriut, Talat Xhaferi, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.
Ai tha se gjatë angazhimeve të tij në institucione, bashkëpunimi me biznesin dhe me AKB-në ka qenë gjithmonë i rëndësishëm dhe se një partneritet i tillë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Gjatë gjithë kohës sa kam qenë në pozita të ndryshme, biznesin dhe AKB-në i kam pasur partnerë dhe kështu do të vazhdojmë të jemi edhe në të ardhmen,” tha Xhaferi.
Ndërkohë, pronari i Dino Company, Abedin Salihu, u shpreh se do të vazhdojë të mbështesë projekte dhe iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe në përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet bizneseve dhe institucioneve është thelbësor për krijimin e mundësive të reja ekonomike dhe për rritjen e investimeve.
Ky aktivitet shërbeu gjithashtu si një platformë e rëndësishme për rrjetëzim dhe shkëmbim idesh ndërmjet bizneseve, institucioneve dhe partnerëve rajonalë, me qëllim të avancimit të zhvillimit ekonomik, rritjes së bashkëpunimit ndërkufitar dhe krijimit të mundësive të reja për sektorin privat në Kosovë dhe më gjerë.