Në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit, në Tiranë është organizuar një iftar miqësor që ka mbledhur figura të njohura të jetës institucionale, politike dhe të biznesit shqiptar. Iftari u mbajt në restorantin Panorama Dajt, me ftesë të biznesmenit dhe pronarit të këtij ambienti, Kujtim Dervishi.
Në mesin e të pranishmëve ishin ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, diplomatë, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe mysafirë të shumtë nga fusha të ndryshme të jetës publike.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se atmosfera vëllazërore e kësaj mbrëmjeje pasqyroi vlerat e solidaritetit dhe bashkëpunimit që promovon muaji i Ramazanit. Sipas tij, takime të tilla shërbejnë për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit shqiptar.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për organizimin dhe mikpritjen, duke theksuar se aktivitete të këtij lloji kontribuojnë në afrimin dhe bashkimin mes shqiptarëve.