Kuvendi mban seancë, ky është rendi i ditës

Sot do të mbahet seanca e radhës e Kuvendi i Kosovës, e cila pritet të nisë në ora 10:00.

Në këtë seancë, përveç pikave të zakonshme procedurale, deputetët do të kenë në rend dite edhe deklarimet jashtë rendit të ditës si dhe sesionin e pyetjeve parlamentare drejtuar kabinetit qeveritar.

Ndër çështjet kryesore që pritet të shqyrtohen dhe votohen janë disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare financiare, që lidhen me zhvillimin e sektorit financiar, energjinë, klimën dhe lehtësimin e tregtisë dhe transportit në rajon.

Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë edhe një propozim-rezolutë që ka të bëjë me rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes së qeverisë dhe ndikimin në koston e jetesës së qytetarëve.

Në rend dite është edhe zgjedhja e një anëtari joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe shqyrtimi i një tjetër rezolute për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999.

Seanca pritet të përmbyllet me propozimet e grupeve parlamentare të PDK-së dhe AAK-së për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Kjo seancë vjen në një periudhë dinamike politike, ku vendimet që do të merren pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet ekonomike dhe institucionale në vend.