Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditura disa detaje nga takimet që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Abdixhiku ka deklaruar se gjatë këtyre diskutimeve ka pasur dallime të mëdha në qasjen për rolin që duhet të ketë presidenti i ardhshëm.
Sipas tij, Kurti ka kërkuar një profil presidenti që fokusohet më shumë në aktivitete të brendshme dhe shoqërore, sesa në politikën e jashtme tha ai ne Debat Plus.
“Kosovës i duhet një president që takohet me shoqatën e zjarrfikësve”, citohet të ketë thënë Kurti gjatë takimeve, sipas Abdixhikut.
Kreu i LDK-së ka shtuar se një qasje e tillë nuk përputhet me vizionin e partisë që ai drejton për rolin e presidentit, duke theksuar se kjo pozitë kërkon përfaqësim të fuqishëm ndërkombëtar dhe angazhim në politikën e jashtme.
“LDK nuk ka të tillë”, ka deklaruar Abdixhiku, duke lënë të kuptohet se aktualisht nuk ka pajtim mes palëve për emrin dhe profilin e presidentit të ri.
Takimet mes Kurtit dhe Abdixhikut janë zhvilluar në kuadër të konsultimeve politike për zgjedhjen e presidentit, një proces që kërkon konsensus më të gjerë në Kuvend.