Sulmi në Banjskë: Tre të akuzuar mësojnë sot vendimin ndaj tyre

Gjykata Themelore në Prishtinë do të shpallë në pasditen e së premtes aktgjykimin në rastin Banjska ndaj Bllagoje Spasojeviqit, Vlladimir Tolliqit dhe Dushan Maksimoviqit, të akuzuar për sulmin e armatosur në komunën e Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Tre të akuzuarit janë pjesë e një grupi prej 45 individëve, ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë këtu Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, i cili në aktakuzë cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

Gjykata vendosi ta veçonte procedurën penale ndaj Spasojeviqit, Tolliqit dhe Maksimoviqit, të cilët ndodhen në paraburgim nga shtatori i 2023-tës, kurse për 42 të tjerë refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për gjykim në mungesë.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit dyshohet se, përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, kishin tentuar ta shkëpusnin pjesën veriore të Kosovës, për t’ia bashkuar Serbisë, me ç’rast ishte vrarë polici Bunjaku, ishte plagosur nga armë zjarri polici tjetër Alban Rashiti, ndërsa ishin lënduar policët Çlirim Sahiti, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi, por ishte rrezikuar edhe jeta e policëve të tjerë dhe e popullatës civile.

Për këto veprime, të njëjtit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

I akuzuari si udhëheqës i të dyshuarve për sulmin në Banjskë, Radoiçiq, dyshohet se nga viti 2017 deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura përmes një grupi të strukturuar, për t’i përdorur për armatim, logjistikë dhe financim të pjesëtarëve, me qëllim kryerjen e veprave terroriste. Për këto veprime të dyshuara, ai akuzohet për lehtësim dhe financim të terrorizmit.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, dyshohet se, me ndihmën e njërit nga të akuzuarit, Radulle Steviq, si dhe bizneseve të tij, Radoiçiq ka konvertuar të ardhura nga aktiviteti kriminal në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, duke i transferuar edhe te persona të tretë, për të fshehur origjinën e tyre. Për këtë pjesë, ai akuzohet për shpëlarje parash.

Në shqyrtimin gjyqësor ndaj tyre, që nisi më 17 prill të vitit 2025, tre të pandehurit, Spasojeviq, Tolliq dhe Maksimoviq mohuan akuzat të cilat iu ngarkuan.

Spasojeviq, gjatë gjykimit, deklaroi se nuk kishte sulmuar askënd me eksplozivë apo me armatim të rëndë, dhe se nuk kishte vrarë apo lënduar njeri. Po ashtu, mohoi se kishte pasur qëllim shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin e tij me Serbinë.

Tolliq pranoi se kishte qenë në Banjskë më 24 shtator, por tha se motivi i pjesëmarrjes së tij nuk ishte ai që përshkruhet në aktakuzë.

Ai deklaroi se nuk kishte qëlluar askënd, dhe se nuk kishte pasur qasje në mjete eksplozive, duke shtuar se nuk mund t’i parashikonte zhvillimet dhe pasojat e ngjarjes, dhe se kishte qenë i plagosur rëndë, për çka kishte marrë trajtim mjekësor në Prishtinë.

Ndërkaq, Maksimoviq, i cili ishte punëtor i hotelit Rajska Banja, deklaroi se ditën e 24 shtatorit ishin mbledhur me shokë në një vikend-shtëpizë, për të pjekur mish në skarë.

Ndonëse në telefonin e tij ishin gjetur video-incizime të sulmit ndaj Policisë dhe të monitorimit të saj, ai kishte thënë se ato nuk i kujtoheshin.

Në fjalët përmbyllëse në gjyqin ndaj tyre, Prokuroria kërkoi dënim me burgim të përjetshëm.