Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas një incidenti të ndodhur sot në Skenderaj, ku pretendon se zëvendësministri i Financave dhe kandidati për deputet, Hysni Mehani, është sulmuar fizikisht nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe shoqëruesit e tij.
Sipas deklaratës së LVV-së, ngjarja ka ndodhur në kafeterinë “Solo” në qendër të Skenderajt, derisa Mehani ishte duke pirë kafe së bashku me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të partisë.
Vetëvendosje pretendon se fillimisht Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Në reagim thuhet se gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, është sulmuar edhe sekretari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Bahri Zabeli, i cili sipas partisë ka pësuar goditje të rënda nga shoqëruesit e Lushtakut.

“Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Tutje, LVV e ka cilësuar rastin si “sulm fizik banditesk”, duke kërkuar nga organet kompetente që ta trajtojnë rastin me urgjencë dhe të ndërmarrin veprime ligjore ndaj personave përgjegjës.
Po ashtu, Vetëvendosje i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të Kosovës që ta dënojë publikisht incidentin.
Deri më tani nuk ka pasur reagim nga Sami Lushtaku apo nga PDK lidhur me pretendimet e bëra nga Vetëvendosje.