Hysni Mehani thotë se është sulmuar fizikisht nga Sami Lushtaku

Kryetari i Lëvizjes së Vetëvendosjes në Skenderaj, Hyseni Mehani ka thënë se është sulmuar fizikisht nga kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku.

Këtë deklaratë në emër të Mehanit e ka postuar në Facebook Bahri Zabeli, anëtar i LVV-së në Skenderaj.

“Jemi në spital. Jemi sulmuar nga Sami Lushtakut. Unë dhe Hysni Mehani. Kemi qenë në kafe, kanë ardhur na kanë sulmuar, Samiu, direkt. Policia ka qenë, deklaratë nuk kemi dhanë sepse jemi në spital”, ka thënë Zabeli për Telegrafin.

Telegrafi ka tentuar të kontaktojë me stafin e kryetarit të Skenderajt dhe vetë Sami Lushtakun, por ata nuk kanë qenë të qasshëm në telefon.

Edhe një llogari tjetër në Facebook, Selman Sokoli, ka publikuar një postim ku pretendon se Mehani është sulmuar, duke përmendur po ashtu emrin e Lushtakut.

“Te dashur miq jam sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbroj familjen time dhe ftoj familjarët për përmbajtje”, thuhet në postimin e tij.

Policia e Kosovës, deri në momentin e publikimit, nuk ka kthyer përgjigje lidhur me rastin dhe nuk ka konfirmim zyrtar për rrethanat e ngjarjes.