Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka publikuar një analizë mbi trendet ekonomike në Ballkanin Perëndimor, duke i krahasuar ato me Slloveninë dhe Austrinë. Ai vlerëson se rajoni vazhdon të mbetet dukshëm prapa vendeve të Bashkimit Evropian për sa i përket eksporteve dhe produktivitetit ekonomik.
Sipas Gërxhaliut, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor realizuan rreth 49 miliardë euro eksporte gjatë vitit 2025, ndërsa vetëm Sllovenia eksportoi mbi 72 miliardë euro, edhe pse ka afro tetë herë më pak banorë se i gjithë rajoni.
Në analizën e tij, ai thekson se Serbia kryeson me 33.1 miliardë euro eksporte, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 8.6 miliardë euro, Maqedonia e Veriut me 4.5 miliardë euro, Shqipëria me 1.9 miliardë euro, Kosova me vetëm 900 milionë euro, ndërsa Mali i Zi me 572 milionë euro.
Gërxhaliu nënvizon se rajoni, me rreth 17 milionë banorë, eksporton mesatarisht 2,970 euro për banor, ndërsa Sllovenia arrin në 33,800 euro për banor, ose rreth 11 herë më shumë. Austria, sipas tij, eksporton rreth 21,400 euro për banor, duke tejkaluar ndjeshëm mesataren e Ballkanit Perëndimor.
Ai shpjegon se ky hendek nuk lidhet vetëm me madhësinë e ekonomive, por edhe me strukturën e tyre.
“Sllovenia dhe Austria mbështeten në industri me vlerë të shtuar të lartë, si prodhimi i makinerive, industria automobilistike, farmaceutike, elektronika dhe teknologjia moderne. Ndërkohë, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të mbështeten në eksportin e lëndëve të para, gjysmëprodukteve dhe industrive me intensitet të lartë pune”, thekson ai.
Sipas ekspertit, për shkak të kësaj strukture ekonomike, rajoni ka produktivitet më të ulët dhe mbetet i varur nga importi i energjisë, pajisjeve dhe mallrave të konsumit.
Gërxhaliu vlerëson se për të ndryshuar këtë realitet nevojiten stabilitet politik, politika të qarta zhvillimore dhe një orientim më i madh drejt prodhimit, eksporteve dhe investimeve.
“Nga e tëra kjo mund të kuptohet rëndësia e stabilitetit politik, orientimi drejt fuqizimit të ekonomisë dhe partneriteti rajonal, evropian dhe më gjerë”, shkruan ai.
Në fund të analizës, Gërxhaliu dërgon një mesazh të drejtpërdrejtë për politikëbërësit, duke theksuar se zhvillimi ekonomik nuk mund të ndërtohet vetëm mbi retorikë.
“Nuk jetohet nga patriotizmi folklorik dhe në mungesën e vizionit multidimensional drejt ardhmërisë”, përfundon eksperti i ekonomisë.