Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë vazhduar për të gjashtën ditë radhazi aksionin e tyre para Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në objekt në shenjë proteste për mosvazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Aksionit të PDK-së u janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës, si dhe drejtues e asamblistë të PDK-së nga Komuna e Vushtrrisë. Ata kërkuan që procesi të rikthehet në Kuvend, të vazhdojë seanca konstituive dhe të bëhet konstituimi i institucioneve.
Asamblistja e PDK-së në Vushtrri, Vlera Tahiri, tha se qytetarët dhe bizneset e kësaj komune kanë nevojë për investime dhe projekte zhvillimore, ndërsa për këtë, sipas saj, nevojiten institucione funksionale.
“Vushtrria ka nevojë për investime, për projekte zhvillimore dhe për një qeveri që i trajton komunat dhe qytetarët me përgjegjësi”, tha Tahiri.
Ajo kërkoi që procesi të kthehet në Kuvend, duke theksuar se vendi ka nevojë për një kuvend funksional dhe institucione të konstituuara.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se aksionet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesës së tyre për kthimin e, siç u shpreh ajo, “kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe legjitimitetit të shtetit”.
Musliu kërkoi nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të kthehet në Kuvend dhe të mundësojë konstituimin e institucioneve.
“Jemi edhe sot, për të gjashtën ditë radhazi dhe nuk do të ndalemi deri në arritjen ose realizimin e kërkesës sonë”, tha Musliu.
Në aksion mori pjesë edhe deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, e cila kërkoi respektimin e Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për konstituimin e Kuvendit.
Kadrijaj tha se askush nuk është mbi ligjin dhe kërkoi që Kuvendi të mblidhet dhe të përfundojë procesin e konstituimit, ndërsa më pas të procedohet edhe me formimin e Qeverisë.
Ajo paralajmëroi se, nëse situata vazhdon, protestat e opozitës mund të zgjerohen.
“Nëse Albin Kurti vazhdon me këtë avaz, edhe ne do të vazhdojmë me protesta të cilat do të jenë edhe masive”, tha Kadrijaj.
PDK dhe Aleanca kanë kërkuar vazhdimisht vazhdimin e seancës konstituive, në mënyrë që Kuvendi të përfundojë procesin e konstituimit dhe vendi të kalojë në fazën e formimit të institucioneve të reja.