Hashim Thaçi me porosi nga Haga: Pozita dhe opozita duhet të ulen në një tryezë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë.

Në një intervistë në Debat Plus, Thaçi ka kërkuar që partitë politike, pavarësisht nëse janë në pushtet apo opozitë, të ulen në një tryezë dhe të arrijnë pajtim për disa çështje strategjike.

Ai ka përmendur si prioritete sigurinë nacionale, reformat demokratike, reformën elektorale, politikën e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare dhe investimet në mbrojtje.

“Mendoj se politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta: sigurisë nacionale, reformave demokratike, reformës elektorale (zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli, si mundësi për evitimin e krizave institucionale), politikës së jashtme, marrëveshjeve ndërkombëtare, investimeve në mbrojtje, integrimit në NATO dhe BE, raporteve speciale me SHBA-në, pastaj me Shqipërinë dhe eventualisht dialogut me Serbinë, etj”, ka thënë Thaçi.