Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kurti e falënderoi Erdoğanin për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës, përfshirë në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Gjatë takimit u diskutua edhe për rolin e Turqisë në KFOR dhe kontributin e saj në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.
Sipas Qeverisë së Kosovës, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë arritur në rreth 1 miliard dollarë, ndërsa bashkëpunimi ekonomik është zgjeruar edhe përmes investimeve turke në Kosovë. Në këtë kuadër u përmendën fabrika e re e municionit në Gjakovë dhe Parku i Energjisë së Erës në Rahovec.
Kurti foli gjithashtu për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të pasaktë. Ai tha se vendimi duhet të korrigjohet në procedurën e apelit.
Në takim u diskutua edhe për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kurti, së bashku me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, ngriti çështjet e pasivizimit të adresave, mosnjohjes së diplomave dhe, sipas tij, nënpërfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.
Kosova dhe Turqia pritet të vazhdojnë thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe tregtar. Në fund të takimit, Kurti e ftoi presidentin Erdoğan për një vizitë në Kosovë.