Katër ditë afat për presidentin, Ligji për Specialen në duar të deputetëve

Qeveria e Kosovës i ka hapur rrugë nismës së propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një mbledhje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin. Sipas njoftimit zyrtar, është konstatuar se nuk ekzistojnë pengesa ligjore për procedimin e këtij projektligji.

Propozimi i PDK-së për ndryshimet ligjore erdhi menjëherë pas vendimit të Gjykatës Speciale të 16 shtatorit, me të cilin ish-drejtuesit e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – u dënuan me një total prej 81 vjetësh burgim për krime lufte, ngjarje që u pasua nga protesta të shumta në vend.

Me anë të ndryshimeve ligjore në PDK synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.

Kjo lëvizje ligjore u ndërlidh drejtpërdrejt edhe me zhvillimet politike rreth zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, proces për të cilin Gjykata Kushtetuese ka caktuar afat deri më 6 tetor. PDK-ja e ka bërë të qartë se trajtimi i ndryshimeve ligjore për Specialen është parakusht për të hapur diskutimet lidhur me pozicionin e kreut të shtetit.

Mospajtimet mbeten aktualitet, pasi edhe pas takimit të zhvilluar të premten mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit Albin Kurti, palët nuk kanë arritur një dakordim konkret, me PDK-në që këmbëngul në prioritizimin e çështjes së Speciales.

Nga sot kanë mbetur katër ditë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e një presidenti. Pas procedimit të kërkesës nga Qeveria, pritet që ndryshimet e ligjit t’i marrë në dorë Kuvendi e më pas t’i votojë. Pas kësaj pritet të ketë lëvizje edhe nga PDK-ja për votimin e presidentit. Kjo parti ka përsëritur vazhdimisht se vetëm pas procedimit të ligjit do të përfshihet në komunikimet për presidentin.