Aktvendimi dënues i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, i ka diktuar edhe zhvillimet politike në Kosovë.
Përderisa prej muajsh bëhen diskutime e takime sepse vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje për shkak të afateve të përcaktuara për zgjedhjen e presidentit, Partia Demokratike e Kosovës ishte deklaruar se nuk dëshiron as të takohet më me Lëvizjen Vetëvendosje në lidhje me këtë çështje. Si rrjedhojë, e pati çuar në Kushtetuese edhe çështjen e konstituimit dhe formimit të Qeverisë. Ky institucion i cilësoi si jo antikushtetuese.
Ndërkohë, partia në pushtet, marrëveshje kishte arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për kandidatin Bekim Sejdiu për postin e presidentit, por deklarimi kundër i gjashtë deputetëve të këtij subjekti politik, bëri që kandidati Sejdiu të tërhiqej. Çështja mbeti pezull, ndonëse kryeministri Albin Kurti së fundmi deklaroi se Sejdiu vazhdon të jetë emri i tyre për këtë pozitë.
Pas aktgjykimit të Speciales, Partia Demokratike e Kosovës i vetofroi 22 votat e deputetëve për ta votuar presidentin, nëse partia në pushtet procedon me ndryshimin e Ligjit për Specialen.
Ekzekutivi të premten mbrëma i hapi rrugë kësaj nisme, por projektligjit tashmë i duhet t’i kalojë disa hapa deri në përfundim.
PDK-ja vazhdon të insistojë që kjo të miratohet në Kuvend në të dyja leximet, e pastaj të votohet për presidentin, por a ka kohë në bazë rregulloreve të përcaktuara për një gjë të tillë?
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka shpjeguar procedurën tutje kur këto nisma marrin dritën e gjelbër nga Qeveria.
Sipas Cakollit koha e mbetur deri më 6 tetor për çështjen e presidentit e bën përmbylljen e procedurës për këtë projektligj “shumë të vështirë brenda afateve të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit”.
Ndryshimet ende nuk janë trajtuar nga komisioni parlamentar për legjislacion. Por nëse po, shqyrtimi i parë i projektligjit në seancë, më së herëti do të mund të bëhej të hënën më 5 tetor.
Megjithatë, sipas Cakollit, shqyrtimi i dytë e miratimi përfundimtar, në bazë të afateve, më së herëti mund të bëhet më 8 tetor.
Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është më 6 tetor, në bazë të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse materialet tashmë veçse janë shpërndarë dhe Komisioni për Legjislacion do ta aprovojë projektligjin, shqyrtimi i tij i parë në seancë mund të të mbahet më së herëti të hënën, më 5 tetor. Pas miratimit në parim, projektligji kthehet në komision për shqyrtimin e dispozitave dhe amendamenteve eventuale, si dhe për shqyrtim nga komisionet e përhershme. Duke respektuar minimumin prej 72 orësh të kësaj procedure, shqyrtimi i dytë dhe miratimi përfundimtar mund të bëhen më së herëti më 8 tetor”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Tutje ai ka shpjeguar se edhe nëse shkohet me miratimin e ndryshimeve me afate më të shkurtëra sesa që janë të përcaktuara, ligji pastaj mund të shkojë në vlerësimin final në Kushtetueses.