Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente e Kosovës

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës.

Në votimin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, për Shiroka-Pulën kanë votuar 81 deputetë, ndërsa dy fletëvotime janë shpallur të pavlefshme. Një votë i është dhënë deputetes Eliza Hoxha.

Pas zgjedhjes në këtë pozitë, presidentja e re ka mbajtur fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit, duke thënë se e pranon detyrën me nder dhe përgjegjësi.

“Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, tha Shiroka-Pula.

Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë politike, etnike apo shoqërore.

“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, u shpreh ajo.

Në fjalimin e saj, Shiroka-Pula theksoi edhe orientimin euroatlantik të Kosovës dhe rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët.

“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, tha presidentja e re.

Kush është Justina Shiroka-Pula?

Justina Shiroka-Pula është ekonomiste dhe akademike, ndërsa gjatë karrierës së saj ka ushtruar edhe funksione politike dhe institucionale.

Në vitin 2025, ajo u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë institucion, i themeluar në vitin 1975. Në këtë pozitë pasoi akademikun Mehmet Kraja.

Shiroka-Pula ka përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Në vitin 1984 ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Zagrebit.

Ajo është doktoruar në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

Karrierën profesionale e ka nisur në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 ka filluar punën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Sipas biografisë së publikuar nga ASHAK, Shiroka-Pula ka ndjekur studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka kryer gjithashtu trajnime të ndryshme profesionale në universitete ndërkombëtare.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ajo është angazhuar edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.

Në politikë, Shiroka-Pula ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës nga viti 2008 deri më 2011. Nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.

Me zgjedhjen në postin e presidentes, Shiroka-Pula merr mandatin e kreut të shtetit dhe pason në këtë pozitë Vjosa Osmanin.

Ajo do të ushtrojë funksionin e presidentes së Republikës së Kosovës në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës.